Telegrafi

GLPS: Mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë nuk është çështje e të drejtave të njeriut apo e ‘praktikës’ evropiane

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka theksuar sot se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë nuk është çështje e të drejtave të njeriut apo e ‘praktikës’ evropiane.

GLPS konsideron që mbajtja e referendumit kushtetues të Serbisë në Republikën e Kosovës është në kundërshtim me parimet e demokracisë dhe respektit të ndërsjellë të secilit vend të Bashkimit Evropian.

“Ne dëshirojmë të theksojmë që nuk ekziston asnjë rast i mbajtjes së një referendumi kushtetues të një shteti të huaj në territorin e një shteti tjetër në një mënyrë të tillë sikur të ishte një proces zgjedhor i zakonshëm.

Në kuptim të praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (psh rasti Py v. France 2005), e drejta e dikujt për të votuar për zgjedhjet e një shteti tjetër në territorin e shtetit ku banon nuk ekziston. Një gjë e tillë është jashtëzakonisht e qartë në kuptim të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (neni 3, protokolli 1).

Madje GLPS konsideron që Qeveria e Kosovës e ka detyrim kushtetues që të mos lejojë një proces votimi për një referendum kushtetues të një shteti tjetër, e aq më pak për një shtet me një kushtetutë paragjykuese dhe armiqësore ndaj territorit të Republikës së Kosovës.

Prandaj, Qeveria e Kosovës jo vetëm që nuk duhet ta lejojë një proces të tillë por e njëjta duhet të arsyetojë veprimin e saj duke u mbështetur në mbrojtjen e parimeve kushtetuese dhe sovranitetin e plotë të shtetit të Kosovës, pavarësisht deklaratave dhe presioneve të ndryshme nga jashtë”, thekson GLPS.

“Së fundmi, kërkesa e Serbisë ndaj shtetit të Kosovës nuk ka asnjë lidhshmëri me të drejtat e njeriut dhe refuzimi i mbajtjes së këtij referendumi nuk përbën shkelje të standardeve evropiane.

E njëjta është hapi i radhës në tentimet e vazhdueshme të Serbisë në cenimin e shtetit të Kosovës, veprime këto që duhet ndaluar.  GLPS mbështet veprimet të cilat i kontibuojnë fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal por, vetëm në rastet kur Kosova është palë e barabartë dhe e respektuar për sovranitetin e saj tashmë të njohur botërisht. Ndërsa kërkesa konkrete e Serbisë përkundrazi nuk promovon aspak bashkëpunim të mirëfilltë dhe qëllim për dialog konstruktiv mes dy shteteve.

Republika e Kosovës është një shtet i pavarur, sovran dhe me legjitimitet të plotë që të sillet si i tillë ndaj çdo kërkese e cila do cenonte parimet kushtetuese dhe integritetin shtetëror. Prandaj i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që e njëjta të ketë parasysh këto fakte gjatë marrjes së një vendimi lidhur me këtë situatë”, thuhet më tej në reagimin e GLPS-së. /Telegrafi/