Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka bërë të ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative ka aprovuar padinë e dorëzuar më 12 shkurt 2021, nga GLPS përmes Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike dhe OJQ “Qytetarët Aktiv” dhe ka anuluar vendimin e Komunës së Prishtinës lidhur me lejen mjedisore për realizimin e Projektit “Parku i Aventurave” në Peizazhin e Mbrojtur të Parkut Gërmia.
Në njoftimin për media të GLPS-së thuhet se Gjykata e shkallës së parë me aktgjykimin e datës 16 prill 2024, pasi ka administruar të gjitha provat e bashkëngjitura nga Paditësit, ka ardhur në përfundim se ka bazë të mjaftueshme për të konstatuar kundërligjshmëritë që e kanë karakterizuar nxjerrjen e vendimit të Komunës së Prishtinës, datë 26 gusht 2020, për lejen mjedisore të projektit “Parku i Aventurave”.
“Së pari, Gjykata i ka dhënë besim të plotë provave të paditësve më të cilat është konstatuar se Komuna e Prishtinës gabimisht ka aplikuar bazën ligjore për lëshimin e lejes mjedisore, përkatësisht ka aplikuar Udhëzimin Administrativ për dhënien e Lejes Mjedisore Komunale, i cili përcakton se kufizimet e komunës për vendimmarrje për një kategori të projekteve me kapacitete më të mëdha sesa ato që listohen në këtë Udhëzim, ku bën pjesë edhe projekti “Parku i Aventurave” rregullohen me Ligjin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis.
Së dyti, Gjykata i ka vlerësuar të drejta argumentet se Komuna e Prishtinës gjatë vlerësimit dhe miratimit të Projektit “Parku i Aventurave” ka shkelur garancitë kushtetuese të qytetarëve duke ia mohuar të drejtën e pjesëmarrjes në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor ku ata jetojnë”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë që lidhur me këtë rast ende është në fuqi vendimi i Gjykatës Supreme e Republikës së Kosovës, i datës 10 nëntor 2021, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Komunës së Prishtinës deri në vendosjen përfundimtare të rastit.
Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) e vlerëson sukses tejet të rëndësishëm vendimin e Gjykatës Supreme mbi pezullimin e lejes mjedisore të projektit “Parku i Aventurave” dhe vendimin e fundit të Gjykatës Themelore për anulimin e vendimit për realizimin e këtij projekti.
“Vendimet e tilla konfirmojnë kundërligjshmërinë e ndjekur nga organet publike, mohimin e të drejtës kushtetuese të qytetarëve për pjesëmarrje në vendimmarrjen mjedisore dhe rrezikun për degradimin e natyrës nga projektet të tilla si ‘Parku i Aventurave’.
CSL vazhdon misionin e saj duke dërguar në gjykatë raste që i shërbejnë interesit publik nga fusha e mbrojtjes së mjedisit, marrëdhënies së punës dhe të drejtës për qasje në dokumente publike”, thuhet tutje në komunikatë. /Telegrafi/