Site icon Telegrafi

Gliha drejtoi Kosovën në dy ndeshje pas shkarkimit të Challandes, këto ishin rezultatet e tij 

Primoz Gliha pritet të emërohet trajner i Përfaqësueses së Kosovës për ndeshjet e mbetura të kualifikimeve për Euro 2024.

Trajneri slloven prej vitesh punon në FFK, ku ka pasur disa pozita menaxheriale.

Telegrafi ka mësuar se Glihës i është besuar që të drejtojë Kosovën në sfidat e mbetura, derisa do të ketë në staf edhe dy trajnerët me emër në futbollin kosovar, Afrim Tovërlanin (aktualisht trajner te Kosova U21 dhe Arbnor Morinën (aktualisht trajner te Kosova U17).

Lexo po ashtu Ekskluzive: Primoz Gliha, përzgjedhës i ri i Kosovës

55-vjeçari ka drejtuar Përfaqësuesen e Kosovës menjëherë pas shkarkimit të ish-trajnerit Bernard Challandes në nëntor të vitit 2021.

Gliha e drejtoi Kosovën në ndeshjen miqësore ndaj Jordanisë në Prishtinë ku në atë sfidë Dardanët pësuan humbje me rezultat 0-2.

Ndërkohë vetëm katër ditë pas humbjes nga Jordania, Kosova nën udhëheqjen e trajnerit slloven kishte arritur një barazim të madh në Athinë përballë Greqisë me rezultat 1-1.

FFK pritet që gjatë ditëve të ardhshme të zyrtarizojë emërimin e përkohshëm të trajnerit slloven. /Telegrafi/

Exit mobile version