Telegrafi

“Gladiator” për Jiri Menzel

Filmi më i mirë shqiptar është shpallur “Koha e kometës” i regjisorit Fatmir Koçi i cila ka tërhequr statuetën, duke qenë regjisori fitues për të trembëdhjetin edicion konkurrimit të filmit nacional. Për hir të së vërtetës, juria e përbërë nga Roland Sejko (kryetar), Elena Giuffrida, Burbuqe Berisha, Marian Tutui, Xavier Lambours dhe Mimmo Mongelli, mes katër filmave në konkurim nuk ka pasur alternativa.

Juria ka vlerësuar me çmim special aktorin 17-vjeçar Nazif Muharremi, për interpretimin e shkëlqyer të rolit të Mirushit në filmin “Mirush” i regjisorit norvegjez Marius Holst.

Aktorja më e mirë i shkon një shqiptareje të Greqisë, Ornela Kapetani, e cila është protagoniste në filmin “Korrigjimi” i regjisorit grek Thanos Anastopoulos.

Aktor të mirë, juria nuk ka zgjedhur një por disa: grupin e aktorëve Filip Sovagovic, Velibor Topic, Slaven Knezovic, Marinko Prga dhe Borko Peric në filmin “I gjalli dhe i vdekuri” i regjisorit kroat Kristijan Milic.

Çmimi i karrierës i është dhënë regjisores së kinemasë për fëmijë Xhanfize Keko, (e ndarë nga jeta pak kohë më parë) dhe aktorit Aleksandër Prosi. Çmimet janë tërhequr nga djemtë e tyre.

Në natën finale ka qenë e pranishme edhe aktorja kosovare Arta Dobroshi e cila ka një rol në filmin “Trishtimi i zonjës Shnajder”.

———-
Çmimet

Filmi më i mirë artistik (Gladiatori i Artë)

“I kam shërbyer mbretit të Anglisë”, Jiri Menzel

Filmi më i mirë shqiptar- “Koha e kometës”, Fatmir Koçi

Aktorja më e mirë- Ornela Kapetani (“Korrigjimi”)

Aktori më i mirë – grupi i aktorëve Filip Sovagovic, Velibor Topic, Slaven Knezovic, Marinko Prga dhe Borko Peric në filmin “I gjalli dhe i vdekuri” i regjisorit kroat Kristijan Milic.

Çmimi i karrierës- për regjisoren Xhanfize Keko dhe aktorin Aleksandër Prosi

Çmimi Special i jurisë- për aktorin Nazif Muharremi, në rolin e Mirushit /telegrafi/shekulli/