RasenBallsport Leipzig dhe Paris Saint-Germaini zhvillojnë ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Takimi zhvillohet sonte (e martë) në Estadio da Luz të Lisbonës, me fillim në orën 21:00.
Të rejat e skuadrave
RB Leipzig
Julian Nagelsmann nuk e ka në dispozicion të lënduarin Ibrahima Konate. Hwang Hee-Chan dhe Benjamin Henrichs i janë bashkuar skuadrës, por nuk janë në dispozicion për këtë ndeshje.
Mund të ndodhë që trajneri të angazhojë formacionin e njëjtë që e mposhti Atletico Madridin (2-1), në këtë rast Christopher Nkunku do të luante kundër ish-skuadrës së tij.
Edhe pse lojtari që e shënoi golin vendimtar, Tyler Adams, është në garë për pozitën e startuesit, megjithatë pritet që Patrik Schick ta nisë ndeshjen nga minuta e parë, derisa opsion mbetet edhe Nordi Mukiele, nëse Nagelsmann vendos ta ndryshojë stilin e lojës.
Paris Saint-Germain
Keylor Navas është në dyshim për PSG-në pasi e ka lënduar kofshën gjatë ndeshjes kundër Atalantas, ndërsa Sergio Rico pritet ta zë vendin e tij në portë.
Vendimi për Marco Verrattin do të merret në momentet e fundit, ndërsa Layvin Kurzawa do të mungojë.
Trajneri Thomas Tuchel e inkuadroi nga banka rezervë Kylian Mbappen në ndeshjen kundër Atalantas, ndërsa francezi pritet të luajë nga minuta e parë në këtë takim.
Në dispozicion është edhe Angel Di Maria pas suspendimit të kaluar, ashtu që trajneri mund të luajë me sistemin 4-2-2-2, me argjentinasin dhe Neymarin prapa Mbappes dhe Mauro Icardit.
Formacionet e mundshme
Parashikimi
RB Leipzigu siguroi gjysmëfinalen me një gol të vonshëm nga Tyler Adams, i cili u inkuadrua nga banka rezervë për ta ndëshkuar Atletico Madridin. Skuadra gjermane dëshmoi se është e aftë të luajë në nivelin evropian edhe pa Timo Wernerin dhe kjo ua ka rritur vetëbesimin.
Edhe PSG e siguroi një vend në gjysmëfinale në minutat e fundit të sfidës kundër Atalantas. Kampioni francez ka marrë një shtytje të madhe me kthimin e Di Marias nga suspendimi dhe me Mbappen që është rikuperuar dhe i gatshëm për lojë.
Leipzigu i ka fituar tri ndeshjet e fundit në Ligën e Kampionëve, si edhe ka shënuar se paku dy gola në gjashtë nga shtatë ndeshjet e fundit, gjë që tregon për potencialin e kësaj skuadre.
Megjithatë, takimin me PSG-në konsiderohet një hap i madh për ekipin gjerman kur kihen parasysh emrat që i ka në dispozicion trajneri Tuchel. Për këtë arsye skuadra franceze favorizohet për të këtë përballje.
/Telegrafi/
RasenBallsport Leipzig vs Paris Saint-Germain – Cila mendoni se do të jetë skuadra fituese dhe cili do të jetë rezultati sipas jush? Shprehuni në hapësirën për komente.