Telegrafi

Gjysma e pronave të Kosovës është shitur tashmë

Asanaj e ka vlerësuar të suksesshëm këtë proces, gjatë të cilit është privatizuar mbi 50 për qind e pronës shoqërore në Kosovës.

Një ndër të arriturat e fundit të AKP-se, ka thënë Asanaj, është edhe Strategjia për shpërndarjen e përkohshme të 20 përqindëshit nga të hyrat e privatizimit për punëtorët e ligjshëm.

“Në takimin e fundit të Bordit të AKP-së janë aprovuar nëntë lista të punëtorëve dhe tanimë është bërë shpërndarja e këtyre mjeteve”, ka thënë Asanaj, duke shtuar se në takimin e nesërm të Bordit të AKP-së priten të aprovohen edhe disa lista të tjera dhe më pastaj të bëhet edhe shpërndarja e mjeteve.

Një ndër çështjet tjera të diskutuara në këtë takim ishte edhe nevoja e amendamentimit të legjislacionit të aplikueshëm që ndërlidhet me punën e AKP-së. Në veçanti dhe me interes të veçantë janë veçuar amendamentimet në vetë Ligjin mbi Themelimin e AKP-së, nxjerrja e ligjit mbi Odën e Veçantë të Gjykatës Supreme, ashtu siç parashihet edhe në Pakon e Presidentit Ahtisari, si dhe amandementimi i Rregullores së UNMIK-ut 2005/48 mbi Riorganizimin dhe Likuidimin e Ndërmarrjeve Shoqërore.

Është folur, ndërkaq edhe për synimet e AKP-së dhe vazhdimin e procesit të privatizimit në të ardhmen, kurse është diskutuar edhe çështja e mjeteve financiare, të përfituara nga privatizimi, të depozituara jashtë vendit, si dhe sistemi bankar i Kosovës, me kamata jostimuluese për zhvillimin e bizneseve.

“Mjetet financiare të përfituara nga privatizimi duhet të kthehen në Kosovë dhe të përdoren për kreditimin e bizneseve fitimprurëse”, ka theksuar Asanaj.

Drejtuesit e AKP-së e kanë siguruar kryeparlamentarin Krasniqi se pasqyrat financiare të kësaj agjencie janë përgatitur në pajtim me Ligjin mbi Menaxhimin e Financave publike dhe Përgjegjësitë, si dhe në pajtim me Udhëzimet Administrative të Thesarit dhe të Standardeve Ndërkombëtare për Sektorin Publik (SNKSP). Në funksion të transparencës së punës dhe, konform ligjit, kanë theksuar përfaqësuesit e AKP-së, Raporti i është dorëzuar edhe drejtorit të Thesarit.