700 mijë persona ose 44 për qind e popullatës së aftë për punë nuk është aktive dhe nuk figuron askund. As nuk kërkojnë punë, e as që punojnë diçka. Nga Agjencia për punësim shprehen se Enti Shtetëror për Statistikë ka metodologjitë e saj sipas të cilave i përllogaritë situatat në terren dhe se në numrin e përgjithshëm është e tërë popullata e aftë për punë.
Derisa, nga ana tjetër, nga Agjencia për Punësim të dhënat mbështeten vetëm në gjendjen faktike nga e dhëna e personave të lajmëruar dhe çlajmëruar. Nga ky institucion shprehen se një pjesë e madhe e qytetarëve ndonëse nuk kanë punë, nuk lajmërohen në Agjenci, ndërsa problemin e lokalizojnë edhe te të rinjtë dhe në ekonominë joformale.
“Ndoshta ata janë të përfshirë në tregun e punës, por në pjesën e ekonomisë joformale. Pra, ata nuk kanë qenë të regjistruar më parë te ne dhe ne nuk kemi të dhënë se ky person ka qenë në evidencën e të papunëve. Ajo që e kemi në dispozicion si të dhënë është praktikisht informacioni i cili ka të bëjë me hyrjen dhe daljen e lajmërimeve dhe çlajmërimeve, përkatësisht lajmërim dhe çlajmërim të marrëdhënies së punës. Prandaj ndoshta përqindja e Statistikës duket e madhe”, deklaroi Pavlina Kostovska-Grujovska, këshilltare në Agjencinë për Punësim.
Sipas të dhënave të Agjencisë për punësim, 102.834 persona të papunënë mënyrë aktive kërkojnë punë dhe 89.653 persona të tjerë të cilët nuk kërkojnë punë. Analistët ekonomik shprehen se pjesa dërmuese e qytetarëve joaktiv të aftë për punë janë të rinjtë dhe gratë. Por, presion serioz dhe pasqyrë të gabuar jep edhe numri i madh i personave që punojnë të pa-lajmëruar dhe fitojnë para, ndërsa nuk figurojnë si të papunë.
Për këtë problem alarmoi edhe Banka Botërore. Sipas Bankës madje 53 për qind e popullatës së re është e papunë, gjë që nga ana tjetër paraqet edhe presion ndaj ekonomisë. Para disa ditësh edhe kryeministri Zoran Zaev duke promovuar masat e reja për punësim me planin operativ për vitin 2018 targetoi 16.259 persona të papunë, ndërsa në dispozicion i kanë 17 milionë euro, para që mund të përdoren për hapjen e biznesit personal.