Site icon Telegrafi

Gjysma e komunave të Maqedonisë pa inspektorë të mjedisit jetësor

Në gjysmën e gjithsej 80 komunave në Maqedoni nuk ka inspektorë të mjedisit jetësor. Nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor thonë se heqin të zitë e ullirit me numrin e vogël të inspektorëve që i vëzhgojnë ndotësit që kontribuojnë për përqendrime të larta të PM-grimcave në ajër. Drejtori i këtij institucioni Mirosllav Bogdanovski i bëri thirrje qeverisë dhe kryetarëve të komunave ta zgjidhin problemin me numrin e pamjaftueshëm të inspektorëve.

“Këtë çështje duhet ta zgjidhin kryetarët e komunave edhe atë sa më shpejt që të jetë e mundur. Ky është rekomandimi im, sepse në nivel lokal qytetarët i dinë problemet në terren. Por edhe nga Inspektorati Shtetëror në disa nga qytetet më të mëdha nuk ka inspektorë, vendet janë boshe, qoftë shkaku i pensionimit, ose largimit nga vendi i punës. Prandaj këtu do të fokusohemi në të ardhmen”, deklaroi për Alsat drejtori i Inspektoratit të Mjedisit jetësor, Mirosllav Bogadanovski.

Kryetari i Shkupit pranoi se nuk ka personel dhe inspektorë që t’i ndjekin ndotësit. Shilegov u ankua se ish kryetari Koce Trajanovski i ka lënë një administratë jocilësore dhe të pamjaftueshme.

Qyteti i Shkupit ka tre inspektorë të mjedisit, por ama trembëdhjetë shoferë. Procesi për pranimin e inspektorëve për mbrojtje të mjedisit është i hapur. Për fat të keq nuk kemi staf profesional në entin për punësim, që të munden ata njerëz, që do duhet të kenë licenca ti marrim menjëherë në punë”, deklaroi Petre Shilegov, kryetar i Qytetit të Shkupit.

Aktualisht Ligji ekzistues për inspektorë është shumë rigoroz, sepse për t’u bërë një inspektor komunal apo shtetëror, duhet të ketë të paktën pesë vjet përvojë profesionale. Nga Qeveria thonë se tashmë janë duke përgatitur një ligj të ri për Inspektoratin, i cili do t’i ndajë përgjegjësitë e inspektorëve komunalë dhe shtetërorë, dhe me risitë, inspektorët shtetërorë do të jetë në gjendje t’i ndëshkojnë kolegët komunal në qoftë se nuk kanë vepruar siç duhet.

Exit mobile version