Telegrafi

Gjysma e buxhetit në infrastrukturë

Nga buxheti i Kosovës, prej 1 miliard e 400 mijë euro, parashihet që 572 milionë euro të shpenzohen për projekte kapitale, ose rreth 50 për qind e buxhetit në tërësi. Kjo shumë e mjeteve, sipas njohësve të çështjeve ekonomike, do të ishte e mjaftueshme, nëse shpenzohet në mënyrë të duhur dhe transparente.

Muhamet Sadiku, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se Kosova në dy vjetët e fundit ka filluar shumë projekte të mëdha kapitale. Kështu që gjysma e mjeteve nga shuma e investimeve kapitale, sipas tij, do të shpenzohen vetëm për ndërtimin e autostradës Vërmicë- Merdar.

“Sivjet rreth 50 për qind e të hyrave buxhetore, do të orientohen në realizimin e projekteve të infrastrukturës, konkretisht të infrastrukturës rrugore. Në kuadër të këtyre mjeteve, rreth 250 milionë euro, respektivisht gati gjysma e mjeteve të parapara për investime publike, do të orientohen në autostradën e vendit, respektivisht në autostradën Vërmicë – Merdar”, thotë Sadiku.

Edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë prezantimit të projekt- buxhetit, javën e kaluar në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se shumica e këtyre mjeteve do të do të shpenzohen për autostradën si dhe në ndërtimin e rrugëve të tjera që lidhin Prishtinën me qytete të ndryshme të Kosovës, në ndërtimin dhe rehabilitimin e objekteve shkollore, spitaleve, qendrave të mjekësisë familjare dhe shumë projekteve tjera me rëndësi vitale për vendin tonë.

Por, analisti tjetër i ekonomisë, Naim Gashi, thotë se pavarësisht rëndësisë se madhe të këtyre projekteve, ekzekutivi i vendit duhet të ketë në fokus tri prioritete tjera për investime.

“I pari është sektori i bujqësisë, 60 për qind e popullatës në Kosovë është popullatë rurale, e cila merret kryesisht me bujqësi, duhet të jetë sektori i arsimit, për arsye se pjesën dërmuese të popullatës e kemi të re, me perspektivë. Kemi një strukturë mbi 50 për qind të popullatës nën moshën 30-vjeçare, ndërsa investojmë një për qind për rininë”, shprehet Gashi.

Buxheti i Kosovës, ka kaluar leximin e parë, javën e kaluar, kurse miratimi përfundimtar pritet që të ndodhë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Në të kundërtën, Kosova mund të futet në krizë buxhetore, pasi më nuk ekzistojnë mekanizma ligjorë që lejojnë shpërndarjen e mjeteve buxhetore, pa buxhet të miratuar. /Rel/Telegrafi/