Kur gjyshja spanjolle Florentina Martin u infektua me coronavirus në shtator, nipërit e saj frikësoheshin se nuk do të mbijetojë, në veçanti për shkak të vetmisë, shkruan Reuters.
Besohet se ajo ishte infektuar gjatë ahengut të organizuar me rastin e 99-vjetorit të lindjes, kur familjarët e saj ishin mbledhur për të festuar, transmeton Telegrafi.
Në ato momente askush nuk kishte bartur maskë mbrojtëse e as që kishin respektuar distancën sociale fizike. E disa ditë më vonë, Florentina filloi të ndjejë simptomat e para të COVID-19.
Derisa ishte e re kishte përdorur një lloj të vajit që i kishte shkaktuar probleme shëndetësore, duke ia rritur ndjeshmërinë në komplikime të sistemit respirator.
Megjithatë, historia e saj ka përfunduar si është më së miri, pasi kishte simptoma të lehta. U shërua në shtëpinë e saj në Madrid, e për këtë e kanë ndihmuar familjarët, infermieret dhe qeni Lune.
Siç raporton Reuters, kjo gjyshe tani është në gjendje të mirë shëndetësore dhe i është rikthyer videolojërave në tablet.
E mbesa e saj Noelia Vale këmbëngul se të gjithë ata që duan ta vizitojnë gjyshen e saj, duhet të bartin maskë mbrojtëse. /Telegrafi/