Deputeti i Vetëvendosjes Gazmend Gjyshinca, ka dhënë qëndrimin e tij në lidhje me Projektkodin Civil.
Gjyshinca thotë se debati nuk do të duhej të ishte mes konservatorëve dhe liberalëve por për të ardhmen e kësaj shoqërie.
Gjyshinca ka thënë se nuk ka votë kundër qeverisë Kurti, por do të abstenojë në lidhje më këtë ligj.
“Asnjë ligj nuk do të duhej të kontestohej nga shoqëria. Prandaj unë sot abstenoj. Unë nuk kam votë kundër qeverisë Kurti. I kam besuar vizionit të saj dhe programit të saj që në fillim. Konsideroj se po e bën punën e duhur. Mbështetur në këtë edhe duke e njohur rëndësinë e Projektkodit Civil, edhe duke e njohur punën e mirë që është bërë në këtë kod, edhe duke e ditur që nuk ka shtet pa kod civil, nuk votoj kundër këtij kodi. Pa marrë parasysh cila është kostoja, unë jam këtu për ta thënë këtë ballëhapur”, ka thënë Gjyshinca.
Ai tha se është duke u folur për njeriun në radhë të parë, andaj duhet të kenë ndjeshmëri njerëzore.
“Kur flasim për gjini të njëjta, po flasim për njerëz, duhet të kemi ndjeshmërinë njerëzore. Ma gjeni një besim fetar, i cili nuk e qendërzon shenjtërinë e dinjitetin e njeriut”, ka shtuar ai./Telegrafi/