Telegrafi

Gjyshes nga Illinois i kthehet portofoli i vjedhur 75 vite më parë

Betty Sissom, 89-vjeçare, i është kthyer portofoli që i është vjedhur 75 vite më parë. Portofoli i saj është gjetur gjatë renovimit të një ish-shkolle të mesme në Illinois, që tani do të shndërrohet në kishë.

Pastori Seth Baltzell ka deklaruar se si një mjeshtër i ujit ka gjetur portofola të shumtë në murin e tualetit të femrave, ku në mesin e tyre ishte i Betty, transmeton Telegrafi.

“Tash e gjashtë muaj jemi duke punuar në këtë objekt dhe jemi të gëzuar që ishim dëshmitarë të një ngjarje që nuk e ka përjetuar askush në 100 vitet e fundit”, ka deklaruar pastori.

Ai beson se portofolat ishin vjedhur 75 vite më parë dhe tani dëshiron t’ua kthejë pronarëve. Ai ka vënë nëpër qytet fotografitë e portofolave me emrat e pronarëve të tyre, e përdoruesit e rrjeteve sociale ato  fotografi i kanë shpërndarë edhe në internet.

Shumica e pronarëve raportohet se kanë vdekur, kurse emrin e Betty Sissom e ka njohur gazetari i televizionit lokal St. Louis i cili kontaktoi pastorin me qëllim që t’ia kthejnë portofolin.

Ajo kishte diplomuar në vitin 1947 në këtë shkollë të mesme, dhe mbeti e habitur kur pa portofolin e kuq pas shumë viteve. Në portofol kishte pasur fotografitë e shokëve të klasës që nuk i ka parë prej kohësh.

Në mesin e fotografive të shumta ishte edhe ajo e vëllait të saj që kishte luftuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, por që për fat të keq kishte humbur jetën.

“Jam gëzuar shumë pasi që nuk kam ndonjë fotografi tjetër të tyre”, ka shtuar ajo. /Telegrafi/