Telegrafi

Gjyqtari Gashi: Nuk kam dhënë urdhër që ministri Sveçla të sjellet me forcë në seancë

Gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Eroll Gashi ka mohuar lajmet se ai ka dhënë urdhër që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të sjellet me forcë nga Policia e Kosovës në seancën gjyqësore.

Gjyqtari Gashi tha për Telegrafin se këto lajme nuk janë të vërteta.

“Jo nuk është e vërtetë se kam dhënë urdhër që të sjellet me forcë në seancë gjyqësore”, pohoi ai.

Gashi deklaroi që në rast se në seancën e radhës të pandehurit nuk paraqiten në sallën e gjyqit atëherë ai do obligohet të lëshoj urdhërin për sjelljen e tyre me forcë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 14 mars 2014, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Xhelal Sveçla, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj po akuzohen se më 27 qershor 2013 në rrugën “Nëna Terezë” në Prishtinë, gjatë protestës me qëllim të dëmtimit të personave zyrtarë-pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kanë kryer veprime të dhunshme huligane. /Telegrafi/