Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme përmes një njoftimi ka bërë të ditur se pas shpalljes, ligji për Trepçën ka hyrë në fuqi.
Mirëpo një gjyqtar i vetëm i kolegjit të shkallës së parë i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, nga EUELX-i, thotë se Ligji për Trepçën është antikushtetues.
“Pas shpalljes, Ligji Nr. 05/L -120 për Trepçën ka hyrë në fuqi. Ligji i nxjerrë asetet e vlefshme nga NSH Trepça dhe i bartë ato pa kurrfarë kompensimi te një shoqëri e sapo krijuar aksionare, nga të cilat 80% e aksioneve janë në pronësi të shtetit, 20% në pronësi private. Aksionarët i marrin aksionet falas. Shoqëria aksionare as nuk i merr përsipër obligimet që i ngarkohen NSH-së Trepça e as nuk garanton për to”, thuhet në njoftimin e DHPGJS-së.
Më tej Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, ka bërë të ditur se “Trepça” do të vazhdojë të përballet akoma me borxhin e saj.
“Në formën e mbetur, NSH-së Trepça i hiqen asetet e saj pak para se të skadojë moratoriumi dhe kreditorët do të mund të tentojnë likuidimin që të realizojnë paditë e tyre. Por NSH-ja do të vazhdojë të përballet akoma me tërë borxhin e saj”, thuhet më tej në njoftim.
DHPGJS-ja tutje ka treguar se paditësi në rastin C-II-14-0114 pranë DHPGJS-së, ka një padi kundër NSH-së Trepça.
“ Ligji e zvogëlon vlerën e padisë së paditësit në zero pa e kompensuar atë. Një gjyqtari i vetëm i kolegjit të shkallës së parë i Dhoma se Posaçme të Gjykatës Supreme, nga EUELX-i, arrin në përfundim se ligji është antikushtetues për dy arsye të ndryshme, që të dyja të bazuara në të drejtave themelore që e garantojnë pronën (neni 46 i Kushtetutës): Së pari, ligji ka efektin e një shpronësimi pa kompensim në dëm të paditësit, i cili është një kreditor i Trepçës”, thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se “Vlera e padisë së tij ndaj Trepçës është reduktuar në zero, pasi Trepça ka mbetur pa burime si dhe e mbingarkuar me borxhe. Së dyti, shpronësimi i pjesshëm kryhet në dobi të personave privat pa ndonjë arsyetim. Për këtë arsye, gjykata ka lëshuar një kërkesë për Gjykatën Kushtetuese (neni 113.8 i Kushtetutës), e cila ka fuqinë ekskluzive të shfuqizojë ligjet”./Telegrafi/