Telegrafi

Gjyqtarët e prokurorët serbë lënë me probleme sistemin e drejtësisë në Kosovë

Këshilli Gjyqësor e ai Prokurorial edhe pas 1 viti nuk po arrinë të kthejnë përgjigje, për dorëheqjet e prokurorëve e gjyqtarëve serb. Teksa janë bërë një vit që nga largimi i tyre nga sistemi i drejtësisë, ata lanë pasoja të mëdha në veri të vendit

Megjithëse, Këshilli Prokurorial e Gjyqësor ende nuk ka marr vendim për këto dorëheqje, largimi i tyre krijoj shumë probleme e sfida.

Përveç këtyre, nga Prokuroria e Gjykata u larguan edhe mbi 100 persona të stafit administrativ.

Valon Preteni, zëdhënës në Prokurorinë në Mitrovicë, tregon për problemet që kanë pasur gjatë kësaj kohe.

“Me dorëheqjet e prokurorëve dhe stafit administrativ nga komuniteti serb, puna është vështirësuar mjaftë për faktin se prokurorët e dorëhequr kanë qenë të ngarkuar me lëndë, dhe kjo ka krijuar vështirësi në trajtimin e këtyre lëndëve po ashtu përfaqësimin e lëndëve në gjykatë dhe degët e saj, para dorëheqjes së tyre në prokurorinë në Mitrovicë kanë qenë 18 prokurorë të angazhuar e tani kemi vetëm 8 prokurorë”, ka thënë Preteni.

Nga KPK-ja kanë treguar të gjitha veprimet që kanë marr, derisa kanë thënë se pas analizimit dhe trajtimit të dorëheqjeve të prokurorëve, do të merret vendim për secilin prej tyre.

“Duke marrë parasysh këtë gjendje dhe numrin e pamjaftueshëm të prokurorëve dhe stafit përkatës në këtë prokurori, si dhe ngarkesën me lëndë që duhet të trajtohen dhe përfaqësimin e lëndëve në gjykatë, përkundrejt vështirësive të krijuara në këtë kohë, në saje të përkushtimit dhe angazhimit të shtuar të Kryeprokurorit, prokurorëve dhe stafit administrativ janë realizuar detyrat dhe obligimet e përditshme dhe, në këtë aspekt, lëndët me kryerës të njohur, me të cilat kanë qenë të ngarkuar prokurorët serbë janë shpërndarë fillimisht për trajtim e  tyre tek prokurorët aktualë në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë. Gjithashtu, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) është në proces të analizimit dhe trajtimit të të gjitha dorëheqjet e ofruara dhe pas analizimit dhe trajtimit të secilës veç e veç, do të marrë një vendim përkitazi me këto dorëheqje”, kanë thënë nga KPK-ja.

Nga Gjykata në Mitrovicë, nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, megjithatë nënkryetari i kësaj Gjykate në një bashkëbisedim me televizionin ka thënë se largimi i gjyqtarëve u ka shfaqur shumë probleme, por më së shumti në fushën civile.

Bekim Veliqi ka thënë se me ndihmën e KGJK-së, dhe me transferimin e lëndëve në gjykata të tjera, kanë arritur të e menaxhojnë situatën më mirë, në mënyrë që të mos mbesin shumë lëndë të pazgjidhura, derisa dy degë të kësaj gjykate vazhdojnë të jenë jashtë funksionit.

Derisa, nga shoqëria civile e avokatët thonë se largimi i këtyre zyrtarëve serb, ka shkaktuar dëme të mëdha në sistemin e drejtësisë.

“Normalisht që dorëheqja e gjyqtarëve dhe prokurorëve serb dhe stafit mbështetës, ka shkaktuar pasoja të mëdha duke e ditur se janë mbi 100 së bashku me stafin mbështetës, sikur nga ana e gjyqësorit po ashtu edhe nga sistemi prokurorial, që janë larguar, ndërsa zëvendësimet që janë bërë kanë qenë të vogla sidomos tek ana e sistemit prokurorial”, ka thënë Lavdim Makshana, hulumtues në IKD.

“Ky vit ka qenë kaotik dhe jashtëzakonshëm për arsye se është krijuar një vakum i paprecedentë institucional, pikërisht me dorëheqjen sabotimin e gjyqtarëve e prokurorëve të  nacionalitetit serb, dhe mënyra se si është vepruar, nga ana e KGJK-së, mendoj se ka qenë mënyre jo e drejtë sepse është vepruar sikur në gjendje të luftës, ku lëndët në gjendje penale përveç se janë shpërndarë, ka qenë një reagim jo i duhur në proporcion me natyrën e vëllimin e lëndëve”, ka thënë avokati, Musa Damati.

Largimi i prokurorëve e gjyqtarëve serb, u bë në kohën kur të gjithë serbët u larguan nga institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie ndaj vendimeve të qeverisë./RTV Dukagjini/