Gjykata speciale është jokushtetuese, por departamente speciale gjyqësore nuk janë në kundërshtim me ligjin, thonë një pjesë e gjykatësve të Shoqatës së gjykatësve, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Këto departamente mund të formohen në varësi nga nevoja, lloji, kapaciteti i punës, ndër të cilat edhe për lëndët e PSP-së.
”Çështja kyçe është për gjykatësit që do të merreshin me lëndët e tilla. Në departamentet gjyqësore nuk përzgjedhen gjykatës, por ata rreshtohen sipas orarit vjetor për punë”, thotë për Alsat-M, Lazar Nanev.
Kryetarja e Gjykatës së lartë, Lidija Nedellkova, kërkon që të lihet gjykata që ta kryej punën që i takon dhe të mos hidhet dyshim mbi punën e pavarur të saj.
”Gjyqësia dhe gjykatësit nuk guxojnë të jenë lëndë të marketingut politik. Gjykatësit duhet ta kryejnë funksionin e tyre, si të pavarur dhe të palëkundur. Askush nuk guxon të ndikojë mbi vendimet gjyqësore, e aq më pak t’i thërret gjykatësit në përgjegjësi për sjelljen e një vendimi gjyqësor”, thotë Nedellkova./Telegrafi/