Site icon Telegrafi

Gjyqi për vrasjen e janarit 2010, në “City Club” të Pejës

Në gjykimin e Granit Elshanit që akuzohet për vrasje të Besart Shabit, tri vrasje në tentativë, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje, dëshmuan dy policë.

Njëri nga dëshmitarët e kishte intervstuar Granit Elshanin pas të shtënave, natën e dytë të janarit 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë. Ndërsa, tjetri bashkë me krim-teknikën kishte dalë në vendin e ngjarjes për të mbledhur si prova gëzhojat dhe armën.

“Pasi është sjellë Graniti në stacionin policor, së bashku me një koleg e kemi intervistuar Granitin si të dyshuar për armëmbajtje pa leje “, tha polici Shpejtim Tafili.

Granit Elshani atëherë kishte thënë se jeton në Zvicër pa status qëndrimi, ndërsa në Kosovë, sipas deklaratës, kishte ardhur një javë para të shtënave në “City Club”. Më tutje, Elshani kishte thënë se ditën kritike ishte nisur për të shkuar te halla e tij për ta vizituar, ndërsa rrugës e kishte gjetur një pistoletë.

Ai më tutje kishte dhënë versionin e tij pse e kanë sjell në polici.

“Kam qenë duke fjetur dhe nën jastëkun ku po flija kanë gjetur revolen e zezë, prandaj edhe me sollën këtu”, përfundoi leximin e deklaratës së Elshanit, dëshmitari Shpejtim Tafili.

Pastaj dëshminë e dha edhe një koleg i Tafilit, Ismet Fetaj.

“Kemi marrë gëzhojat në vendin e ngjarjes dhe në trup të viktimave të rastit. Detyrë tjetër e imja ka qenë që armën dhe gëzhojat t’i dërgoja në laboratorin e kriminalistikës”, tha Fetaj.

Të enjten prokurori Hughes ia kishte prezantuar në gjykatë armën e konfiskuar. Polici Riza Mahaj tha se arma e prezantuar para tij ishte e njëjta të cilën e kishte konfiskuar mëngjesin e 3 janarit 2010, ndërsa Granit Elshani mohoi se kjo armë i ishte marrë atij ditën kur u arrestua.

Prokuroria pretendon se për shkak të hakmarrjes, cak i të shtënave të Elshanit nuk ishte Shabi, por Valdet Kelmendi i cili u plagos. /kallxo.com/

Exit mobile version