Sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të jetë ende i ndikuar nga politika dhe korrupsioni, është thënë të mërkurën në hapjen zyrtare të programit për fuqizimin e sektorit të drejtësisë nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Në konferencën për media, të organizuar për këtë projekt, kanë marrë pjesë përfaqësues të USAID-it, Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.
Asistenti i administratorit të USAID-it, për Evropë dhe Euro-Azi, Thomas Melia, ka thënë se qëllimi i ShBA-së janë institucionet e hapura dhe transparente.
“Programet e ndryshme që janë mbështetur nga populli amerikan në Kosovë kanë ndihmuar në ndërtimin e institucioneve më të fuqishme dhe më të besueshme si dhe kanë ngritur besimin e kosovarëve që drejtësia do të ndahet në mënyrë të barabartë dhe të duhur”, është shprehur Melia, duke shtuar që duhet të bëhet ende me qëllim që të arrihen qëllimet e përbashkëta në sektorin e drejtësisë.