Gjykimi ndaj A.S. nuk ka arritur të mbahet sot në rastin që ai akuzohet se në bashkëkryerje me djalin e tij të mitur kanë vrarë V.B., në shtatorin e vitit 2023 në supermarketin “Interex” në Podujevë.
Me të filluar shqyrtimi fillestar të mërkurën më 03.04.2024 mbrojtësi i të akuzuarit, Besnik Berisha u deklarua se nuk kishte në posedim provat e aktakuzës, në këtë rast i akuzuari pritej të deklarohej lidhur me fajësinë e tij, pasi t’i lexohej aktakuza nga prokuroja, Dulina Hamiti.
“Jemi pajisur pjesërisht me shkresa të lëndës, ku përveç 21 CD-ve që mungojnë nga provat materiale, mungon edhe raporti i ekspertizës mjeko-ligjore i datës 20.10.2023 i përpiluar nga eksperti mjeko-ligjor, raporti analitik i video incizimeve së bashku në një CD, procesverbali për kontroll dhe të tjera”, tha Berisha.
Në mungesë të shkresave të lëndës Berisha kërkoi që seanca e sotme të shtyhet për një datë tjetër, deri kur prokuroria të plotësoj obligimin për pajisjen me shkresa të lëndës të akuzuarin dhe mbrojtjen.
Kurse Prokurorja e rastit Dulina Hamiti tha se shumëzimi i CD-ve është çështje e teknologjike dhe asgjë nuk varet nga ajo.
“Për CD janë në shumëzim e sipër, ato prej teknologjisë, se nuk varen nga unë. Ajo është teknologji, e cila kur te mbërrin me i shumëzu na veç jemi gati me ju pajis, kurse eventualisht nëse vetëm ka metë ndonjë shkresë pa ju fotokopju të gjitha kemi kërku prej stafit të zyrës me u shumëzu shkresat asnjë problem nuk ka, të gjitha pajiset, nëse ka mbet eventualisht ato që po i potencon, megjithëse ne i kemi thënë të gjitha me i shumëzu”, tha Hamiti
Në këto rrethana Gjyqtarja e rastit, Fatime Dermaku e obligoi prokuroren që të pajis me shkresa të lëndës palët në procedurë në një afat të arsyeshëm.
Sipas aktakuzës i pandehuri për shkak të një mosmarrëveshje më të ndjerin V.B dhe Shaban Rushiti në vitin 2022, ka porositur djalin e tij të mitur për vrasjen e tashmë të ndjerit V.B..
Aktakuza thotë se më 11.09.2023 rreth orës 11:30 i pandehuri A. S. me djalin e tij të mitur kanë vëzhguar për rreth një orë rrugën pranë lokalit “Interex” deri në momentin kur e kanë parë të ndjerin duke hyrë në brendi të lokalit me bashkëshorten e ti dhe fëmijën e tyre 4 vjeçar.
I pandehuri dhe djali i tij i mitur sipas aktakuzës dalin nga restoranti që gjendet tek objekti i lokalit. I akuzuari sipas prokurorisë e orienton djalin e tij të mitur që ti vihet pas të ndjerit, ndërsa vetë vazhdon rrugën për të dalë jashtë lokalit.
Në brendi të lokalit të “Interex” djali i tashmë të akuzuarit nga mbrapa shkon tek viktima i cili së bashku me bashkëshorten e tij dhe djalin 4 vjeçar ishte duke qëndruar tek sektori i qumështit, dhe shtin dy herë në drejtim të viktimës. Njëri plumb e godet në shpinë kurse tjetri në qafë.
Sipas prokurorisë, njëra nga predhat e ka goditur bashkëshorten e të ndjerit, e cila kishte filluar të vrapoj që nga momenti kur kishte dëgjuar krismat.
Tutje, akti akuzues thotë se i mituri pasi kishte goditur dy herë viktimën, nga një çantë dore kishte nxjerrë një tjetër revole duke e goditur edhe katër herë të tjera në kokë të ndjerin.
Pasi kishte shkrepur të dy armët, prokuroria thotë se i mituri me shpejtësi largohet na vendi i ngjarjes kurse tashmë i akuzuari, A.S. Syla hyp në veturën e tij dhe largohet për në drejtim të shtëpisë së tij. /Kallxo.com/