Gjykimi për lëndën “Titanik 3” në të cilën të akuzuar janë Ejup Alimi dhe Ismet Guri nga BDI, do të vazhdojë më 24 janar, kur Këshilli Gjyqësor duhet të deklarohet për propozimin e PSP-së për leximin e dëshmisë nga dëshmitari i cili ka dëshmuar para prokurorit publik në procedurën parahetimore.
Prokurorja Fatime Fetai, në seancën e sotme propozoi si dëshmi deklaratat e dëshmitares Resmie Beslimovska, e cila i ka dhënë më 14 nëntor të vitit 2016, duke pasur parasysh se ajo tani nuk është e kapshme për organet shtetërore, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Mbrojtja kundërshtoi këtë propozim duke ju referuar aktgjykimit të Strasburgut se nuk janë shterur gjitha mundësitë për gjetjen e dëshmitares, e cila është kurorëzuar në Gjermani dhe jeton atje.
Gjykimi, të cilin e udhëheq Olja Ristova, ndodhet në fazën e dëshmive, por ky është propozimi i fundit për dëshmi nga PSP, ndërsa mbrojtja ka theksuar se të akuzuarit nuk do të dëshmojnë, me çka në seancën e radhës mund të fillojë edhe thënia e fjalëve përfundimtare.
Ndryshe, Ejup Alimi dhe Ismet Guri nga PSP akuzohen se si anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor në Çair në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kanë shkatërruar materialin zgjedhor, me çka kanë falsifikuar rezultatin e zgjedhjeve./Telegrafi/