Site icon Telegrafi

Gjykimi për shpëlarje parash, i akuzuari thotë se nuk e ka ditur se nga kush transferoheshin paratë

I akuzuari, Arton Tahiraj gjatë dhënies së mbrojtjes së tij ka thënë se nuk e ka ditur se kush i transferoheshin mjetet financiare përmes “Western Union” dhe “Money Gram”.

Një deklaratë të tillë, i akuzuari Tahiraj e dha të mërkurën, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores speciale Habibe Salihi, në rastin ku i njëjti së bashku me Agron Bajçincën, Visar Mërlaku dhe Adem Azemi po akuzohen për veprën penale “Shpëlarje e parave”.

Në pyetjen e prokurores Salihi nëse i akuzuari Rahiraj ka qenë në dijeni se kush i transferon mjetet, i njëjti është përgjigjur me “asnjëherë”.

Paraprakisht në këtë seancë, të akuzuarit Bajçinca, Mërlaku dhe Azemi shfrytëzuan të drejtën e tyre për tu mbrojtur në heshtje.

Më pas, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtëses së tij, avokates Sadete Gashi, i akuzuari Tahiraj ndër të tjera ka thënë se për të hollat të cilat i ka tërhequr nuk ka marr ndonjë shpërblim.

“Jo asnjëherë ky vetëm ka qenë një shërbim si shoku shokut, ka thënë ndër të tjera i njëjti.

I njëjti, më pas duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Salihi ka thënë se është deklaruar gojarisht në polici dhe prokurori mirëpo jo edhe me shkrim.

Ai gjithashtu ndër të tjera ka thënë se me të akuzuarin Bajionca njihet që nga fëmijëria dhe se me sa i kujtohet, mjetet për të njëjtin i ka tërhequr në vitin 2013 ose 2014.

Tutje, i njëjti ka thënë se asnjëherë nuk e ka pyetur të akuzuarin Bajçinca se pse të dërgohen parat në emër të tij dhe se nuk ka dyshuar në asgjë.

Ndërsa, në pyetjen e prokurores se perse të hollat i ka pranuar në emër të tij, i akuzuari Tahiraj tha sepse Bajçinca nuk ka pasur letërnjoftim dhe se të hollat i ka tërhequr vetëm me letërnjoftimin e tij.

I njëjti ka thënë se rreth 10 ose 15 herë ka pranuar të holla.

Në vazhdim, duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues, i akuzuari Tahiraj ndër të tjera ka thënë se nuk ka njohuri nëse të akuzuarit Bajçinca i ka dërguar para vëllau i tij apo jo.

Ai gjithashtu ka thënë se me të akuzuarin Bajçinca nuk ka pasur ndonjë raport biznesor.

“Jo, unë kam profesion si kuzhinier e ky me sa di unë merret me shitblerje dhe ka punuar edhe si taksist, tash nuk e di”, ka thënë i njëjti.

Tutje, i akuzuari Tahiraj ka thënë se nuk e ka pyetur asnjëherë të akuzuarin Bajçinca se pse nuk po ia dërgojnë paratë përmes xhirollogarisë bankare.

I njëjti ka shtuar se personat nga të cilët janë dërguar paratë kanë qenë të panjohur për të.

Seanca u shty për 16 dhjetor të këtij viti, me kërkesën e mbrojtësit të akuzuarit Adem Azemi, avokatit Behar Ejupi, i cili tha se ka nevojë që të përgatitet për fjalën përfundimtare pasi që është dëgjuar i akuzuari Tahiraj.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 16 gusht 2021, i pandehuri Agron Bajçinca, në periudhën kohore nga viti 2013 deri në vitin 2014, duke ushtruar veprimtari ekonomike pa autorizim dhe pa leje përkatëse, ka autorizuar personat e ndryshëm për tërheqjen mjeteve monetare, përmes institucioneve financiare nga “Western Union” dhe “Money Gram” në vendet të ndryshme brenda Kosovës.

E gjithë kjo, thuhet se u bë duke i paguar ata në emër të shërbimeve në shumën prej 20 deri në 30 euro, të cilat shuma ishin tërhequr në emër të tij në vlerë prej 13 mijë e 644 euro e 50 centë, 60 mijë e 259 euro e 82 centë, 20 mijë e 714 euro e 98 centë, 26 mijë e 951 euro e 23 centë, 17 mijë euro, 6 mijë e 323 euro e 93 centë, 128 mijë e 717 euro e 11 centë, 21 mijë e 706 euro e 88 centë, 17 mijë e 977 euro e 27 centë, 67 mijë e 833 euro e 25 centë, 12 mijë e 129 euro, 45 mijë e 755 euro e 38 centë dhe 21 mijë e 372 euro e 15 centë, në shumë të përgjithshme 558 mijë e 375 euro e 77 centë, të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Me këtë, i pandehur Agron Bajçinca, akuzohet se ka kryer veprën penale “Tregtia e ndaluar”

Tutje, thuhet se i njëjti në kohën dhe vendin si në përshkrimin faktik në dispozitivin e parë të aktakuzës, duke qenë në dijeni se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka pranuar shuma të mëdha të mjeteve monetare nga personat e panjohur nga Republika e Turqisë dhe Republika Dominikane, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë së tij, në atë mënyrë që fillimisht i ka tërhequr mjetet monetare në shumë 97 mijë e 990 euro e 47 centë, e më pas për t’i realizuar qëllimet e tij, ka autorizuar edhe persona të ndryshëm për tërheqjen e shumave të ndryshme të mjeteve monetare, në emër të tij, përmes institucioneve financiare “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë, në shumë të përgjithshme prej 558 mijë e 375 euro e 77 centë, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parave”.

Sipas aktit akuzues, i pandehuri Visar Mërlaku akuzohet se në periudhën kohore nga viti 2013 deri në vitin 2014, duke ushtruar veprimtari ekonomike pa autorizim dhe pa leje përkatëse, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka autorizuar personat e ndryshëm për tërheqjen e mjeteve monetare, përmes institucioneve financiare nga “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë, si dhe i ka paguar ata në emër të shërbimeve në shumë prej 20 deri 30 euro, të cilat shuma ishin tërhequr në emër të tij dhe atë 49 mijë e 37 euro e 40 centë, 18 mijë e 596 euro e 2 centë dhe 65 mijë e 715 euro e 37 centë, në shumë të përgjithshme 123 mijë e 348 euro e 79 centë, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Me këto, veprime i pandehuri Visar Mërlaku akuzohet se ka kryer veprën penale “Tregtia e ndaluar”.

Tutje, aktakuza thotë se i njëjti në kohën dhe vendin si përshkrimi faktik më lartë, duke qenë në dijeni se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka pranuar shuma të mëdha të mjeteve monetare nga personat e panjohur nga Republika e Turqisë dhe Republika Dominikane me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë së tij.

Thuhet se këtë e bëri në atë mënyrë që i ka tërhequr mjetet monetare në shumë prej 49 mijë e 37 euro e 40 centë, e më pas ka autorizuar edhe persona të ndryshëm për tërheqjen e shumave të ndryshme monetare në emër të tij përmes institucioneve financiare nga “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë, në shumë të përgjithshme prej 123 mijë e 348 euro e 79 centë, të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parave”.

Aktakuza pretendon se i akuzuari Adem Azemi në periudhën kohore nga viti 2013 deri në vitin 2014, duke ushtruar veprimtari ekonomike pa autorizim dhe pa leje përkatëse, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka autorizuar personat e ndryshëm për tërheqjen e shumave të ndryshme të mjeteve monetare, përmes institucioneve financiare nga “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë.

Tutje, thuhet se këtë e bëri duke i paguar ata në emër të shërbimeve në shumën prej 20 deri 30 euro, të cilat shuma ishin tërhequr në emër të tij dhe atë 6 mijë e 972 euro e 36 centë, 6 mijë e 964 euro e 70 centë, 13 mijë e 967 euro e 79 centë, 13 mijë e 967 euro e 79 centë, 14 mijë e 41 euro e 9 centë dhe 23 mijë e 938 euro e 50 centë, në shumën e përgjithshme prej 65 mijë e 884 euro e 44 centë, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Me këto veprime, i akuzuari Adem Azemi, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Tregtia e ndaluar”.

Tutje, thuhet në aktakuzë, se i njëjti duke qenë në dijeni se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka pranuar shuma të mëdha të mjeteve monetare nga Republika e Turqisë dhe Republika Domenikane, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë së tij, në atë mënyrë që ka angazhuar persona të ndryshëm për tërheqjen e shumave të ndryshme të mjeteve monetare në emër të tij, përmes institucioneve financiare “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë, duke pranuar dhe maskuar shumën totale prej 65 mijë e 884 euro e 44 centë, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Me këto veprime, ngarkohet për kryerjen e veprës penale “Shpëlarja e parave”.

Ndërkaq, sipas aktakuzës, i pandehuri Arton Tahiraj, akuzohet se në periudhën kohore nga viti 2013 deri në vitin 2014, duke ushtruar veprimtari ekonomike pa autorizim dhe pa leje përkatëse, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka autorizuar personat e ndryshëm për tërheqjen e shumave të ndryshme të mjeteve monetare, përmes institucioneve financiare nga “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë, si dhe duke i paguar në emër të shërbimeve në shumën prej 20 deri 30 euro, të cilat shuma ishin tërhequr në emër të tij, 47 mijë e 594 euro, 6 mijë e 832 euro e 25 centë, 6 mijë e 371 euro e 73 centë, 6 mijë e 874 euro e 76 centë, si dhe 27 mijë e 517 euro e 22 centë, përkatësisht në shumën e përgjithshme totale 95 mijë e 189 euro e 86 centë, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Me këtë, i akuzuari Arton Tahiraj, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Tregti e ndaluar”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i njëjti, duke qenë në dijeni se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka pranuar shuma të mëdha të mjeteve monetare nga Republika e Turqisë dhe Republika Domenikane, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë së tij.

Në aktakuzë thuhet se Arton Tahiraj ka angazhuar persona të ndryshëm për tërheqjen e shumave të ndryshme të mjeteve monetare në emër të tij, përmes institucioneve financiare “Western Union” dhe “Money Gram” në Kosovë, duke pranuar dhe maskuar shumën totale prej 95 mijë e 189 euro e 86 centë, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Me këtë, i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parave”, raporton BetimiperDrejtesi.

Exit mobile version