Dëshmitari Lush Palokaj në seancën e së martës në Gjykatën Themelore të Prishtinës, gjatë shqyrtimit gjyqësor ndaj Caslav Jolic, i cili po akuzohet për krime lufte ka thënë se të dëmtuarin Zef Malsija e kishte parë të rrahur nga paramilitarët.
Një deklarim të tillë i njëjti e ka bërë duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special, Ilir Morina, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas dëshmitarit Palokaj ai kishte shkuar për vizitë tek i dëmtuari Malsija pasi që e kishte kuptuar që e kishin rrahur.
Ai tha se kur kishte shkuar aty e kishte kuptuar që i njëjti e kishte humbur vetëdijen, kishte pasur buzën në anën e majtë të qarë, kokën e qarë dhe fytyrën e nxirë me shenja, duke shtuar se i njëjti i kishte thënë që në mesin e personave që e kishin rrahur kishin qenë i akuzuari Caslav dhe Dulle Jolic, nga ata që i kishte njohur.
Paraprakisht dëshmitari Palokaj, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Morina tha se në vitin 1998-1999, kishte jetuar në Gurakoc, dhe se në atë zonë kishte konflikt të armatosur dhe që fqinjët serbë Peqinoviqt Jolict, Peroviqt, kishin qenë të mobilizuar.
Sipas dëshmitarit Palokaj, i dëmtuari Malsija kishte qenë i rrahur në vitin 1998, nga paramilitarët.
Palokaj shtoi se kishte rënë një helikopter luftarak, sipas tij nuk kishte qenë helikopter i Jugosllavisë por kishte qenë helikopter rus.
I njëjti shtoi se i akuzuari Jolic më shumë qëndronte në Gurakoc, pranë shkollës fillore në një vetëshërbim që e kishte pasur një fqinjë i tij.
Dëshmitari Palokaj theksoi se në atë kohë kishte qenë pjesë e këshillit të prindërve dhe që fëmijët e lagjes së Bajramve kishin shkuar në shkollë me frikë, pasi që i rrihnin.
Sipas dëshmitarët Palokaj të njëjtit ishin rrahur nga Jolict, Peqinoviqt dhe Peroviqt,
Dëshmitari Palokaj tha se i akuzuari Jolic sa kishte qenë i ri kishte punuar me bujqësi dhe blegtori.
Tutje dëshmitari tha se në familjen e tij nuk kishte pasur viktima në luftë ndërsa në lagjen e Bajramëve kishte pasur viktima e ndër ta kishte qenë D.B.
Palokaj po ashtu tha se edhe I.L që kishte qenë arsimtar i shkollës fillore ishte i zhdukur në luftë, ndërsa një fqinjë i tij D.P kishte qenë vetëm i plagosur.
Në pyetjet e prokurorit Morina i njëjti tha se familja e tij ishin larguar nga shtëpia me urdhër të dy policëve serb, dhe sipas tij, të njëjtit ishin frikësuar nga policia, paramilitarët por jo edhe nga ushtria pasi që sipas tij, të njëjtit ishin të betuar.
Dëshmitari Palokaj tha se kishin pësuar dëme materiale, ia kishin djegur shtëpinë dhe se disa orendi i kishin gjetur tek shtëpia e Peroviqëve që ishin familje serbe.
Ndërsa në pyetjet e mbrojtësit të akuzuarit Jolic, avokati Miodrag Brkljac i njëjti tha se nga 1993 e njihte të akuzuarin Jolic, dhe se po ashtu e njihte edhe Zoran Jolic i cili kishte qenë polic.
Dëshmitari Palokaj tha se kur kishte shkuar ta vizitonte të dëmtuarin Malësia kishte qenë vet ndërsa aty kishin qenë edhe dy persona T.G dhe S.G tani të ndjerë.
Fillimisht dëshmitari Palokaj tha se i dëmtuari Malsija i kishte thënë se kishin qenë 5 persona që e kishin rrahur, pastaj i njëjti tha se 2 persona e kishin mbajtur, dhe 3 e kishin rrahur.
Ndërsa kur avokati Brkljac e ballafaqoi të njëjtin me deklaratën e dhënë në polici që kishte thënë që i dëmtuari i kishte thënë se kishin qenë 4 person, dëshmitari Palokaj tutje tha se kishin qenë 4 persona kështu që ndërroi dëshminë e dhënë para rreth 1 minuti.
Sipas dëshmitarit Palokaj shtëpia e tij i ishte kallur para bombardimeve të Natos, për shkak se ajo kishte qenë shtëpi- shkollë dhe aty ishin mbajtur mbledhjet e partive.
I njëjti tha se i akuzuari Jolic kishte qenë i aktivizuar si polic në vitet 1997-1998, duke pretenduar se i njëjti kishte qenë në shkollë për polici.
Dëshmitari Palokaj tha se fëmijët e Bajramëve kishin dhënë deklarata në shkollë që të rriturit e familjeve Jolic, Peroviq dhe Peqinoviq i kishin rrahur, sipas tij fëmijët e Bajrameve i kishin thënë që kishin probleme me toka me familjen e Joliceve.
Ndërsa në pyetjet e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Valbona Musliu- Selimaj tha helikopterin e kishin parë duke rënë, ndërsa sipas tij të akuzuarin Jolic e kishte parë diku tre ose katër herë me rroba të policisë e me tesha civile e kishte parë më shpesh.
Ndërsa në pyetjet e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Mentor Bajraktari i njëjti tha se ai kishte shkuar në vizitë te i dëmtuari Malsija atë ditë që e kishin rrahur dhe se ai i kishte thënë që kishin qenë 4 persona.
Ndërsa në pyetjen e gjykatësit Musa Konxheli, dëshmitari Palokaj tha se i akuzuari Jolic ka pasur revole atë kohë.
Në këtë seancë u dëgjua edhe dëshmitari Gjon Palokaj, i cili i pyetur nga prokurori Morina tha se një sekuencë të ngjarjes së të dëmtuarit Malsija e kishte parë vet dhe ishte dëshmitar okular.
Dëshmitari Gjon tha se në muajin maj 1998, duke shkuar tek një kushëri i tij e kishte parë të dëmtuarin Malsija ku iu kishte ndaluar një veturë me një tabelë ku vozitësi kishte qenë mashkull, kurse në anën tjetër kishte qenë femër.
I njëjti tha të njëjtit e kishin pyetur për vendin që kishte rënë helikopteri dhe se të njëjtit i kishin thënë që të shkonte në vendin e ngjarjes me të dhe që ishte në mbrojtjen e tyre pasi që ata ishin gazetarë ndërkombëtar.
Dëshmitari Gjon tha se kushëriri i tij në atë mbrëmje i kishte thënë se e kishin rrahur të dëmtuarin Malësia dhe ai kishte shkuar të nesërmen që ta vizitonte dhe aty e kishte parë që i njëjti e kishte fytyrën e nxirë dhe anën e majtë të buzës e kishte pasur të qarë.
I dëmtuari Malsija i kishte thënë që e kishin sulmuar, dhe se kishin qenë 5 persona policë që e kishin sulmuar por që nuk ia kishte përmendur nëse i njihte ata persona sipas dëshmitarit Gjon.
Ai tha se të nesërmen pas vizitës e kishte takuar të dëmtuarin Malësia në Istog dhe i njëjti e kishte pasur fytyrën e ënjtur dhe kur e kishte pyetur se çfarë kishte ndodhur ai i kishte thënë që e kishin rrahur në stacion policor.
Edhe dëshmitari Gjon tha se e kishte parë helikopterin që ishte rrezuar, duke shtuar se 3 persona e dinte që ishin viktimë e luftës në vendin e tyre D.B, B.N dhe I.L që ishte i zhdukur dhe D.P që kishte qenë vetëm i plagosur.
Tutje i njëjti tha se ishin larguar nga shtëpitë e tyre sepse ishin sulmuar nga forcat serbe dhe në përgjigjen e fundit të prokurorit Morina i njëjti tha se nuk e njihte të akuzuarin Jolic.
Ndërsa në pyetjet e avokatit Brkljac, dëshmitari Gjon tha se shtëpia e të dëmtuarit Malsija ishte diku rreth 300 metra larg vendit që e kishte parë të njëjtin duke biseduar me gazetaret e huaj.
Në fund në pyetjet e gjykatësit Bajraktari i njëjti tha se kishin parë shpesh helikopter pasi që kishin kaluar afër shtëpive të tyre duke shtuar se i njëjti helikopter më siguri kishte qenë i forcave ushtarake.
Seanca e sotme u ndërpre ndërsa të radhës pritet të mbahen me 1 dhe 2 nëntor të këtij viti.
Ndërsa në fund gjykatësi Konxheli tha dëshmitari Nexhmedin Curraj do të ftohet me ftesë të rregullt, kurse për dëshmitarin Naim Ferati gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 18 nëntor 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Caslav Jolic me arsyetimin se gjatë kohës së luftës në Kosovës prej muajit janar 1998 deri më 21 qershor 1999, në territorin e Komunës së Istogut në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke i shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, ka aplikuar masat e torturimit dhe shkaktimit të vuajtjeve të mëdha apo cenimit të integritetit trupor ose shëndetit kundër popullsisë civile që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt për shkaqe që lidhen me luftën.
Sipas aktakuzës, në muajin maj të vitit 1998 në lagjen Bllagaq të fshatit Gurakoc ishte rrëzuar një helikopter i forcave policore dhe ushtarake serbe dhe për këtë arsye i dëmtuari Zef Malsia po i shoqëronte për tek vendi i ngjarjes dy gazetarë ndërkombëtarë, njëri anglez e tjetri belg së bashku me një përkthyese shqiptare dhe me të arritur tek vendi i ngjarjes, nga shtëpia e familjes së Rosa Pejcinovic dalin 5 persona të veshur me uniforma të policisë serbe, Radule (Dule) Pejqinoviq, Caslav Joliq, Darko Pejqinoviq, Milosh Jolic dhe një person tjetër i paidentifikuar, të cilët të dëmtuarin e kishin akuzuar se pse i kishte sjellë gazetarët e huaj tek vendi i ngjarjes, dhe për këtë arsye e sulmojnë fizikisht.
Aktakuza thotë se dy prej policëve të uniformuar e kishin kapur për krahë dhe në prezencë të gazetarëve kishin filluar ta godisnin me grusht dhe shqelma për një periudhë kohore rreth 20 minuta derisa në një moment i pandehuri i identifikuar me nofkën “Dulle”, e kishte goditur me boks në kokë, me ç’rast i dëmtuari kishte humbur vetëdijen dhe ishte rrëzuar në tokë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, të cilat i kishte mjekuar në kushte shtëpiake, pastaj gazetarët e kishin larguar nga vendi i ngjarjes dhe ashtu të gjakosur e kishin kthyer në shtëpi në Gurakoc, kurse pas disa javësh si rezultat i luftës i dëmtuari ishte larguar nga Kosova.
Tutje sipas aktit akuzues, rreth datës 15 mars 1998 derisa i dëmtuari Naim Ferati po pinte kafe në restorantin “Shija” në Gurakoc, i shoqëruar nga Shemsi Kabashi pronari i restorantit, Mujë Hajzeraj, Refik Hajzeraj dhe Nue Pepaj, kishin shkuar 5 policë serbë dhe e kishin kapur për qafe duke e tërhequr zvarrë e kishin qitur jashtë lokali dhe që të pestit e sulmojnë fizikisht duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit.
Prej tyre, aktakuza thotë se polici me emrin Rade Pituliq e kishte goditur disa herë me tytë të automatikut në kokë, duke ia mbuluar tërë trupin me gjak pastaj duke e tërhequr zvarrë e kishin dërguar në stacion policor në Gurakoc, në ato momente ngjarjen e kishte parë i dëmtuari Nexhmedin Curri pasi që edhe ai ishte rrahur nga i njëjti grup i policëve, me të dërguar në stacion të dëmtuarin Naim Ferati e paralajmërojnë se deri në ora 17:00 do të ekzekutohej dhe vazhdimisht ishte nën shoqërinë e policëve Halil Kovaqeviq dhe Popoviq.
Gjithnjë sipas aktakuzës, aty pastaj kishte ardhur një epror polic i quajtur Gruica Veloviq dhe e kishte liruar të dëmtuarin nga stacioni i policisë, pastaj me ndihmën e disa fqinjëve të tij kishte arritur që të shkojë në spitalin e Istogut, ku e kishte mjekuar doktori Xhevat Avdijaj, kurse më 28 mars 1999 ishte urdhëruar nga policia serbe që ta lëshojë shtëpinë sikurse çdo banor tjetër i fshatit dhe ishte nisur për në Shqipëri, ku gjatë rrugës prapë ishin maltretuar dhe plaçkitur nga ana e forcave serbe, ndërsa si pasojë e luftës ka pësuar dëme material në vlerë prej 50 mijë marka gjermane.
Më pas, në aktakuzë thuhet se rreth 15 marsit 1998, i dëmtuari Nexhmedin Curri ishte nisur nga Gurakoci për në fshatin Vrellë të Komunës së Istogut për të marë familjen e tij, ku kishte arritur në pikën e kontrollit policor në fshatit Gurakoc, ishte ndalaur nga ana e policisë dhe dy prej pjestarëve të policisë, njëri i njohur me nofkën “Llaza” dhe tjetri i paidentifikuar kishin hyrë me dhunë në veturë dhe kishin kërkuar nga i dëmtuari që t’i dërgonte deri tek shtëpia e personit me pseudonimin “Mala”.
Pastaj, aktakuza thotë se meqenëse i dëmtuari iu kishte thënë se nuk ia dinte shtëpinë atij personi, të njëjtit kishin kërkuar nga i dëmtuari që t’i kthejë në qendër të fshatit Gurakoc, saktësisht tek dyqani ku kishte punuar personi me emrin “Sllavisha”, pastaj me të arritur para shitores e cila ishte në afërsi të pikës së kontrollit të policisë personi me emrin Rade Pituliq iu ishte drejtuar të pandehurve me fjalët “Se si po shëtiteni ju me iredintistin”, kurse personi me pseudonimin “Joliqi” e kishte nxjerrë nga vetura të dëmtuarin duke e goditur me kondak të armës automatike dhe nga aty kishte tërhequr zvarrë duke e dërguar në një lokal aty afër dhe kishte vazhduar duke e rrahur derisa kishin ndërhyrë disa policë të tjerë dhe e kishin nxjerrë të dëmtuarin nga lokali në gjendje të përgjakur, me dhëmbë të thyer.
Ndërsa, i pandehuri Jolic thuhet se i kishte thënë të dëmtuarit “Nuk je në Kosovë por je në Serbi, këtu është Serbia e madhe dhe se këtu nuk flet Ibrahim Rugova, por Millosheviqi”, kurse i dëmtuari ashtu në gjendje të përgjakur e merr veturën dhe largohet nga fshati Gurakoc dhe gjatë largimit kishte parë se si policët serbë e kishin rrahur të dëmtuarin Naim Ferati, ndërsa kishte vazhduar rrugën për në shtëpinë e tij dhe pastaj ishte larguar për në Mal të Zi prej ku ishte kthyer në Kosovë pas përfundimit të luftës.
Me ketë, Calsav Jolic akuzohet se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e ndëshkueshme sipas nenit 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohën e kryerjen së veprës penale.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.