Site icon Telegrafi

Gjykimi për krim të organizuar shtyhet shkaku i grevës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot ka qenë e paraparë që të mbahej seanca gjyqësore në gjykimin e Arben Bashotës, Sylejman Bajramit e Osman Bajramit, të cilët akuzohen për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve.

Kjo seancë gjyqësore nuk është mbajtur pasi që për shkak të grevës së punëtoreve të administratës së Gjykatave dhe Prokurorive palët nuk ishin lënë që të futeshin në objektin e Gjykatës.

“Lënda ka qenë e caktuar në ora 9, por sigurimi i kësaj gjykate nuk i ka lejuar brenda për shkak se administrata e kësaj gjykate ndodhet në pushim”, tha kryetari i trupit gjykues Arben Hoti.

Hoti tha se pas takimit me Kryetaren e Gjykatës është marrë vendim që tani e tutje përpos rasteve me paraburgim dhe atyre të dhunës në familje edhe rastet të cilat janë me prioritet për liberalizim të vizave të mbahen normalisht.

“Pas takimit me kryetaren është marrë vendim që lëndët për liberalizim të mbahen për shkak se janë me prioritet”, tha ai.

Në sallë të gjykatës përpos të akuzuarve mungoi edhe Prokurorja e rastit për te cilën, kryetari i trupit gjykues tha se ajo ka qenë e gatshme në çdo moment që të vijë në seancë edhe përkundër faktit që edhe vozitësit e prokurorisë ndodhen në grevë.

“Nuk prezanton as prokurorja edhe ajo ka shprehë shqetësimin për shkak të grevës dhe ka informuar kryetarin e trupit gjykues se edhe vozitësit e prokurorisë janë në grevë por me plotësimin e kushteve ka shprehë gatishmërinë që të vijë në gjykatë, tha gjyqtari Arben Hoti.

Në mungesë të kushteve për mbajtje të seancës gjyqësore, seancat e radhës janë caktuar për datat 13 dhe 18 korrik.

Në këtë rast Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, po akuzohen për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004 së bashku me Ruzhdi Shaqirin (i vrarë në gusht të vitit 2014) kanë bërë presion të vazhdueshëm ndaj të dëmtuarve Murat Tërnava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja Merita Bina-Rugova, pala e dëmtuar, në këtë rast Murat Tërnava, pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

Ky rast është njëri nga rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave.

Exit mobile version