Site icon Telegrafi

Gjykimi në mungesë, standard i ri e lehtësim për gjykimin e krimeve të luftës

Çedomir Aksiq është i akuzuari i parë ndaj të cilit nisi gjykimi pa prezencën e tij. Gjykimi ndaj tij bëhet për akuzat për krime lufte të kryera gjatë periudhës janar-maj të vitit 1999 në Kosovë nisi një vit më parë për të vazhduar më pas edhe me ngritjen e aktakuzave të tjera në mungesë për krime lufte.

Ndryshimet ligjore sipas dekanit të Fakultetit Juridik, Avni Puka kanë vendosur një standard të ri në sistemin e drejtësisë, por se edhe më tutje vazhdon të jetë sfidues.

“Gjykimi në mungesë jo vetëm në rendin tonë, po në sistemin tonë prokurorial dhe gjyqësor, është sfidë në të gjitha vendet gjithandej, sepse flasim për një standard të ri, një institut që nënkupton raste të veçanta, kufizuara me kushte të caktuara që i pandehuri mund të gjykohet në mungesë tij, që reflekton pastaj me sfidën në lidhje me drejtat procedurale që i ka personi i pandehur”, ka deklaruar Puka për Tv Dukagjinin.

Problematike gjykimin në mungesë e sheh edhe profesoresha Gjylbehare Murati, e cila thotë më sfiduese do të jetë zbatimi i aktgjykimeve.

“Duhet të kemi parasysh tre standarde. Njëra prej tyre e para është që të njoftohet i akuzuari. E dyta është që të ketë një përfaqësues ligjor që ka me ofru një përfaqësim efektiv dhe e treta, rasti ka me pas mundësi për rigjykim”, deklaroi Murati.

Ndërkohë që Puka thotë se ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale janë bërë vetëm për të lehtësuar hetimin e gjykimin e krimeve të luftës.

“Nuk përcakton ligji te ne mundësinë e gjykimit në mungesë për veprat e asaj natyre, pra për terrorizmin sepse edhe kur është plotësu, ndryshu kodi i procedurës, fryma, nëse bëjmë një interpretim autentik, po themi ka qenë për krimet e luftës, ka qenë për krimet kundër njerëzimit dhe nuk është përcaktu për raste të tilla, edhe pse këto janë vepra shumë të rënda, vepra kundër rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës, siç është terrorizmi është dashtë të përcaktohet”, ka deklaruar Puka.

Ngritja e aktakuzës e zhvillimi i gjykimeve pa prezencë të të akuzuarit u mundësua pas ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale.

Ndryshimet e të cilit hynë në fuqi në shkurt të 2023. Që nga viti i kaluar Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur dhjetëra aktakuza në mungesë për krime lufte e krime kundër njerëzimit e përdhunime seksuale të kryera gjatë luftës.

Exit mobile version