Site icon Telegrafi

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, debate në Kuvendin e Shqipërisë

Gjykimi në Hagë i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shkaktuar debate në Kuvendin e Shqipërisë.

Deputeti opozitar Tritan Shehu kërkoi edhe një herë kalimin për miratim të rezolutës që dënon gjenocidin serb në Kosovë, si dhe dërgimin e çështjes në gjykatat ndërkombëtare.

“Duke shkelur procedurën tonë, krijojmë dëme të mëdha të të drejtës shqiptare. Duhet të ballafaqohemi ndaj krimeve që janë bërë në kurriz të shqiptarëve. Në një kohë kur në Hagë, drejtuesit e UÇK-së po kërkohet të dënohen për krime lufte, ne nuk kemi guximin të dënojmë këtu atë që ka ndodhur realisht, gjenocidin serb në Kosovë. Pra dominon shpifja, e pavërteta për të njollosur shqiptarët aty dhe ne nuk themi që gjenocidi ka qenë ai që ka bërë Serbia aty”, tha Shehu, raporton A2 CNN.

“Qeveria shqiptare duhet të ndihmojë Kosovën që ta adresojë këtë çështje në gjykatat ndërkombëtare, sepse Kosova nuk mund ta bëjë, duke qenë se nuk është anëtare e OKB-së”, shtoi ai.

Në anën tjetër, kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha se Kuvendi i Shqipërisë e ka adresuar këtë çështje.

“Madje në Asamblenë e Këshillit të Europës kemi iniciuar miratimin e një rezolute të re lidhur me pretendimet se gjoja, gjatë luftës në Kosovë, paska pasur trafik organesh apo krime të tjera”, tha Balla.

“Jemi të gjithë në dijeni që ditën e djeshme, qeveria e Kosovës ka miratuar 14 prillin si ditë memoriale për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Edhe Kuvendi i Shqipërisë dhe institucionet e tjera duhet që gjatë kësaj dite edhe ne të organizojmë aktivitete në përkushtim dhe si shprehje e solidaritet me të gjitha ato nëna e motra kosovare të cilat vuajtën dhe vuajnë akoma pasojat e asaj dhune”.

Balla u u kërko deputetëve të opozitës të mos bëjmë më histori dhe politikë me çështjet e Kosovës.

“Kemi miratuar një rezolutë dhe të mbështesim delegacionin tonë në Asamblenë Parlamentare të KiE. Firmat janë siguruar dhe të ecim përpara. Pastaj kur shkojmë nga Kosova te paratë e fushatës, gjëja bëhet shumë groteske. Sugjerimi im është që të bëni edhe ju si ne, nuk ka nevojë për postera, por vërini në dispozicion të mjedisit duke mbjellë edhe ju pemë”, tha ai.

Përgjigja duket se nuk u mirëprit nga Shehu, i cili replikoi sërish duke thënë: “Vuçiç ka aktivizuar të gjithë mekanizmat e tij propagandistik për të inkriminuar UÇK-në. Ne, Parlamenti shqiptar, heshtim. Nëse nuk kërkohet ndjesë ndaj krimeve, rrezikohet të përsëriten prapë”.

Deri tani në Gjykatën Speciale është dhënë vendimi i fajësisë për një prej ish-drejtuesve të luftës së UÇK-së. Në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar, Salih Mustafa u dënua me 26 vite burg për vrasje, tortura dhe ndalim arbitrar të personave. Ky ishte dënimi i parë që jepej për një ish-komandant të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale, e ngritur për të gjykuar krimet e dyshuara të luftës të kryera nga shqiptarët në Kosovë, gjatë luftës kundër Serbisë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.

Përveç, Mustafës, të akuzuar për krime lufte dhe të mbyllur në dhomat e paraburgimit në Hagë janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Pjetër Shala.

Në akuzat e ngritura kundër tyre, Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi, dhe Shala dyshohen se kanë kryer veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999. Krimet pretendohet se janë kryer në disa vende në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, në Kukës dhe Cahan. Të gjithë të akuzuar pretendojnë pafajësi.

Exit mobile version