Gjykata Speciale, e cila pritet që të fillojë punën në janarin e vitit të ardhshëm, do t’i ketë një pjesë të stafit të UNMIK-ut dhe EULEX-it. Kështu thotë avokati dhe njohësi i çështjeve juridike, Arianit Koci.
Përkundër zhgënjimeve të qytetarëve kosovarë në disa raste që i ka trajtuar UNMIK-u, por edhe EULEX-i, sipas Kocit, këto dy misione nuk mund të quhen të dështuar.
“Shumë gjyqtarë dhe staf përcjellës të EULEX-it, janë bartur dhe po gradualisht barten në Gjykatën Speciale. Sido që të jetë unë kam besim në Gjykatën Speciale dhe besoj se misionin e vet do ta përmbush”, tha Koci.
E për Skender Musën, misioni i kësaj gjykate do të arrihet, pasi që, siç thotë ai, kjo Gjykatë për qëllim ka eliminimin e disa politikanëve nga skena politike.
Madje edhe ky po thotë që pjesë e stafit të Gjykatës Speciale mund të jenë disa figura që kanë qenë pjesë e EULEX-it dhe UNMIK-ut.
Gjykata Speciale do të jetë e vetmja në Evropë që do të ngrit aktakuza të veçanta vetëm për një komunitet. /Tribuna/