Site icon Telegrafi

Gjykatës së Dibrës i mungojnë gjykatësit

Gjykata Themelore e Dibrës në Raportin vjetor për vitin 2016, punën e këtij institucioni gjyqësor e vlerëson si efikase, shkruan gazeta Koha. Sipas të dhënave të raportit në fjalë, numri i përgjithshëm i lëndëve gjatë vitit 2016 ka qenë 5529, nga të cilët janë zgjidhur gjithsej 5267, që do të thotë lëndë të pazgjidhura kanë ngelë 262.

Ushtruesi i detyrës kryetar i Gjykatës Themelore në Dibër, Ilir Iseni, thekson se të dhënat e raportit janë të qarta dhe tregojnë një efikasitet të nivelit të lartë. Gjatë vitit që kaloi, thekson Iseni, numri i lëndëve nga vitet të kaluara apo të trashëguara, ka qenë 342, kurse lëndë të cilët u pranuan gjatë vitit 2016 kanë qenë 5158. Po sipas tij, nëse bëhet një analizë e lëndëve mund të theksohet se, edhe pse në gjykatë lëndët i kanë realizuar vetëm katër gjykatës dhe ka munguar një gjykatës.

Një vëmendje e veçantë në Raport i kushtohet edhe kualitetit të lëndëve në nivel të gjykatës, që tregon se pjesa dërmuese e tyre janë lëndë të cilët janë zgjidhur pa ankesa. Nëse bëhet një vështrim në sektorin penal, duhet theksuar se numri i përgjithshëm ka qenë 2751 lëndë, nga të cilët 2690 kanë qenë të zgjedhur pa probleme. Në sektorin qytetar, numri i përgjithshëm i lëndëve ka qenë 2393, kurse numri i lëndëve të zgjedhura 2193.

Përndryshe, në Komunën e Dibrës edhe gjatë vitit të kaluar në të gjithë instancat ka pasur mospajtim me marrjen e kompetencave të Gjykatës Themelore në Dibër me ndryshimet e ligjit të vitit 2004. Edhe në këtë gjykatë theksojnë se është e domosdoshme që Gjykatës Themelore në Dibër t’i kthehen kompetencat që i ka pasur para ndryshimeve që u bënë ligj.

Exit mobile version