Telegrafi

Gjykata zvarrit shpërndarjen e miliona eurove

BSPK-ja vazhdon të brengoset për vonesat në ndarjen e 20 përqindëshit për punëtorët e ndërmarrjeve të privatizuara. Kreu i BSPK-së, Haxhi Arifi, tha se fajtor për zvarritjen e këtij procesi është Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme, ndonëse komisioni i AKP-së ka shqyrtuar të gjithë emrat e punëtorëve të ndërmarrjeve.

Komisioni i AKP-së i ka përgatitur listat përfundimtare të punëtorëve të 27 ndërmarrjeve që do të përfitojnë nga 20 përqindëshi, të cilat duhet t’i miratojë Oda e veçantë. Sipas Arifit komisioni nuk ka kurrfarë arsye që të zvarrisë këtë proces.

Arifi sqaroi se në mbledhjen e djeshme të Bordit të AKP-së kanë tërhequr investimet nga ndërmarrja “Llamkos” e privatizuar përmes spin-offit special.

Po ashtu kanë kërkuar shqyrtimin e të gjitha ndërmarrjeve të privatizuara përmes kësaj metode, për shkak të dështimit në përmbushjen e kushteve të kërkuara me kontratën e shitjes.