Benjamin Careathers, një konsumues i rregullt i pijes energjike, ka paditur kompaninë për reklamim të rrejshëm, duke thënë se edhe pas 10 vjetësh konsumimi të rregullt të Red Bullit, atij as nuk i janë shfaqur krahët e as nuk i është rritur performanca në inteligjencë apo atletikë.
Sipas padisë, firma me bazë në Austri qëllimisht ka çorientuar konsumatorët e pafajshëm për të shpenzuar me miliona euro për pijen e shtrenjtë me shpresën se do të kryesojnë në garë me konkurrentët, transmeton Koha.net.
Dhe, nga frika e një gjykimi të gjatë e të shtrenjtë, Red Bull u detyrua të mbyllte këtë rast, duke u zotuar se do rimbursonte çdo konsumator amerikan që ka blerë këtë pije nga viti 2002 me nga 10 dollarë dhe u pajtua që reklamat e së ardhmes do t’i bëjë ndryshe.
Gjiganti i pijeve “Red Bull GmbH” duhet të paguajë 13 milionë dollarë për ta mbyllur rastin, 6.5 milionë e të cilave do të shkojnë për një fond i cili do të shkojë për rreth 1.4 milion konsumatorë amerikanë, të cilët mund të aplikojnë për rimbursim përmes një faqeje interneti të krijuar enkas për këtë rast.