Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për katër zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme me inicialet A.S., B.B., N.S., G.H., të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për dhënie të ryshfetit.
Zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar për Telegrafin se të dyshuarve u është caktuar nga një muaj paraburgim.
Gjatë ditës Prokuroria në Prishtinë kishte dorëzuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personave të lartcekur.
Të dyshuarit u arrestuan një ditë më parë nga krimet ekonomike të Policisë së Kosovës, teksa po zhvillonin aksion në Ministrinë e Punëve Brendshme, saktësisht në Departamentin e Prokurimit.
Sipas policisë, për të dyshuarit me iniciale (A.S., B.B. dhe N.SH.) ekziston dyshimi i bazuar se në cilësi të personave zyrtarë duke vepruar në bashkëpunim, gjatë realizimit të disa procedurave tenderuese dhe realizimit të projekteve në MPB kanë marrë ryshfet nga operatori ekonomik i kontraktuar për kryerjen e projekteve.
Ndërsa, të dyshuarit (N.S.) dhe (G.H.) në cilësi të përfaqësueseve të operatorit ekonomik dyshohen për veprën penale të Dhënies se Ryshfetit me qellim të krijimit të përparësive të paligjshme gjatë realizimit të projektit për ndërtimin e “një objekti të një agjencie” dhe projekteve tjera të zhvilluara nga MPB-ja. Të njëjtit dyshohen edhe për veprën penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin”.
E Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka premtuar se askush nuk do jetë mbi ligjin dhe secili që vepron në kundërshtim me të do të përballet me drejtësinë.
“Tashmë e kemi dëshmuar por ritheksoj se askush nuk do të jetë mbi ligjin. Kushdo që ka vepruar në çfarëdo forme në kundërshtim me ligjin, do të ballafaqohet me drejtësinë”, ka shkruar Sveçla në Facebook. /Telegrafi/