Gjykata e ka urdhëruar Christine Baumgartner, ish-gruan e Kevin Costner, të largohej nga shtëpia e tyre e mëparshme.
Ajo duhet të largohet nga shtëpia luksoze në Santa Barbara deri më 31 korrik, ndërsa gjykata e mori vendimin bazuar në marrëveshjen e tyre paramartesore.
Pasi Baumgartner bëri kërkesë për divorc muajin e kaluar, Costner kërkoi që Christine të largohej nga shtëpia e tij. Ai iu referua marrëveshjes paramartesore, sipas së cilës ajo duhej të largohej 30 ditë pas fillimit të procedurës së divorcit.
Avokatët e saj deklaruan se ish-gruaja e aktorit nuk ka kohë apo para të mjaftueshme për të gjetur një vend të ri për të jetuar deri në fund të muajit. Ata kërkuan shtyrjen e afatit deri më 15 gusht, por gjykata e refuzoi këtë dëshirë.
Ish-gruaja e akuzoi Costnerin se u përpoq ta dëbonte atë dhe fëmijët nga shtëpia përpara se të jepej alimentacioni. Më parë, Christine kishte kërkuar që aktori t’i paguante asaj 248.000 dollarë në muaj si mbështetje për fëmijët. /Telegrafi/