Site icon Telegrafi

Gjykata ua vazhdon paraburgimin “Kobrës” dhe të tjerëve, të dyshuar për vrasjen e të riut në Prizren

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Dibran Hoxhajt, i njohur si “Kobra” dhe katër të pandehurve të tjerë, të dyshuar për vrasjen e të riut nga Kukësi, V.C.

Masa e paraburgimit për Kobrën dhe personat A.V, B.M dhe J.B, do të zgjasë deri më datën 03.07.2023. Ndërsa të pandehurit R.S., masa e paraburgimit do t’i zgjasë deri me 06.07.2023.

Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin, zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Lexo po ashtu Rasti “Kobra” kalon në kompetencë të Prokurorisë Speciale

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special në çështjen penale kundër të pandehurve D.H, A.V,B.M, J.B dhe R.S, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka vendosur për vazhdimin e masës së sigurisë”.

“Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve D.H, A.V, B.M dhe J.B, ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar edhe për 2 (dy) muaj, e cila masë do të llogaritet prej datës 03.05.2023 deri më datën 03.07.2023, ndërsa për të pandehurin R.S, masa e paraburgimit do t’i llogaritet prej datës 06.05.2023 deri më datën 06.07.2023”, thuhet në përgjigjen e Gashit.

Sipas Prokurorisë, Dibran Hoxhaj po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Manipulimi me prova”, ndërsa të dyshuarit e tjerë për veprat penale “Manipulim me prova” dhe “Pjesëmarrja në rrahje”.

Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se me datën 3 janar 2023, rreth orës 04:00, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, që gjendet në rrugën magjistrale Prizren- Zhur, me armë zjarri, Dibran Hoxhaj me dashje e privon nga jeta viktimën V.C, duke vë në rrezik jetën e të dëmtuarit R.Sh, të cilin e plagos dhe duke vë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit A.B, që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë.

“Për shkak të një mosmarrëveshje paraprake që kishin pas rreth pagimit të faturës në lokal, fillon përleshja në mes punëtorëve në lokalin “Kobra City”, me të dëmtuarit ku pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hipin në veturën “Mercedes” FA 19-PFX, me targa angleze, për tu larguar në parkingun e lokalit, paraqitet i dyshuari Dibran Hoxhaj, i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin V.C, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe R.Sh, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e përparme, dhe si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri V.C ndërron jetë rrugës për në Spitalin e Kukësit, derisa R.Sh nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Me këtë, Hoxhaj dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, nënpar, 1.5 të Kodit Penal.

Sidoqoftë, dy ditë pas vrasjes së V.C, më 5 janar 2023Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kishte publikuar analizën me titull “Dështimi i shtetit ndaj “Kobrës”. Edhe në analizën e IKD-së, të publikuar në shkurt të vitit 2022, ishte theksuar se Dibran Hoxhaj ka 16 aktgjykime dënuese të formës së prerë. Ky recidivist në medie proklamohej se ka kryer 198 vepra penale, derisa bënte të ditur se e gjithë kjo e kaluar e tij kriminale filloi me rastin e hapjes së lokalit të lartcekur.

Sipas IKD-së, në të gjitha këto raste, është paraparë mundësia e aplikimit të dënimeve më të ashpra ndaj tij, por se në asnjë prej tyre, i njëjti nuk është dënuar me burgim efektiv, as pasi i njëjti kishte përsëritur këto vepra penale dhe ishte recidivist. Për veprat penale për të cilat është dënuar Hoxhaj, dënueshmëria sipas ligjit ka shkuar deri në 10 vite burgim./Telegrafi/

Exit mobile version