Gjykata Themelore në Prizren në shpalljen e aktgjykimit ndaj grupit të të dyshuarve për fajde e detyrim në Prizren vendosi që t’ia kthejë të akuzuarve pasurinë e sekuestruar përkohësisht.
Kjo gjykatë të hënën e ka anuluar të gjitha urdhëresat e konfiskimit të përkohshëm të pasurisë të të akuzuarve në këtë gjykim.
“Ky trup gjykues ka analizuar detajesh shkresat e lëndës dhe erdhi në përfundim se duhet të anulohen të gjitha urdhëresat që lidhen me sekuestrimin e përkohshëm të sendeve, bankënotat nga i akuzuari Marjan Kqira në shumën prej 220 mijë eurove si dhe 1100 franga zvicerane”, tha kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykata nuk ka arritur të vërtetojë që pasuria e sekuestruar nga të akuzuarit ka qenë pasuri e fituar me veprat penale për të cilat akuzohen.
“…kështu që nuk kemi mund të vërtetojmë se kur janë përfitu sepse aktakuza përfshin vitin 2012 kurse gjithë pasuria sipas shkresave të lendes është fituar para këtyre datave”, vijoi gjykatësi Osmani.
Gjykata, të dëmtuarit në këtë çështje i ka udhëzuar në kontest juridiko-civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.
Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.
Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.
Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm jo proporcionale, ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.
Në këtë gjykim, i akuzuari kryesorTunë Kqira është dënuar me 2 vjet e 3 muaj burg; Kastriot Kqira me 3 vjet burg, Gjon Kqira me 2 vjet e 6 muaj, Gjekson Kqira me 5 muaj, Gëzim Kqira me 5 muaj, Benson Buza me 2 vjet e 6 muaj, Besfort Omaj me 2 vjet e 5 muaj, Zyrafete Hukolli me 6 muaj, Ekrem Leci me 6 muaj, Hil Kaqinari me 6 muaj ndërsa dy të akuzuarit tjerë Ragip Fazlija dhe Sejfë Kaqorraj janë liruar nga akuzat.