Një gjykatë turke ka dënuar aktivistin e të drejtave civile dhe filantropistin Osman Kavala me burgim të përjetshëm pa lirim me kusht.
Sipas Euronews, përcjell Telegrafi, gjykata në Stamboll e shpalli Kavalën fajtor për përpjekje për të përmbysur qeverinë mes protestave masive në vitin 2013.
Shtatë të pandehur të tjerë u dënuan gjithashtu me 18 vjet burg.
Vendimi vjen pasi organi më i lartë evropian për të drejtat e njeriut, Këshilli i Evropës, nisi procedurat e shkeljes kundër Turqisë për këtë rast.
Ankaraja nuk ka respektuar një vendim të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në vitin 2019, i cili ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Kavalës.
Kavala – i cili tashmë ka kaluar më shumë se katër vjet në burg – mohon akuzat se ka financuar protestat antiqeveritare.
Ndryshe, 64-vjeçari është burgosur në burgun e Silivrit — në periferi të Stambollit — që kur u ndalua në tetor 2017. /Telegrafi/