Gjykata Supreme ka vërtetuar dënimin me burg të përjetshëm për ish-policin Shefki Spahiu për vrasjen e Jetmir Aliajt.
Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen penale të akuzuarit Shefki Spahiu nga Suhareka, për shkak të veprës penale vrasje e rëndë dhe veprës penale manipulim me provat, duke vendosur përkitazi me ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit e paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prizren, dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës.
Në seancën e kolegjit të mbajtur më 20 maj 2021, me shumicë të votave, aprovoi pjesërisht ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Sh.S., vetëm sa i përket cilësimit juridik të veprës penale të vrasjes së rëndë nga neni 179 par.1 nënpar.1.4 dhe nënpar.1.6 të KPRK, për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor, ashtu që në veprimet e të akuzuarit kjo gjykatë gjen se përmbushen elementet e veprës penale të vrasjes së rëndë nga neni179 par.1 nënpar.1.4 të KPRK. Në pjesën tjetër aktgjykimi mbetet i pandryshuar.
Në seancën publike të kolegjit, të mbajtur me 20 maj, kanë marrë pjesë i akuzuari Shefki Spahiu, mbrojtësi i tij, avokati E.K., përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokat A.R., të dëmtuarit H.A., e A.A. Prokurori i Shtetit nuk mori pjesë në këtë seancë, por me parashtresë, propozoi që ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit të refuzohet si e pabazuar, ndërsa aktgjykimet të vërtetohen.
“Kolegji i Gjykatës Supreme, përmes aktgjykimit PA.II.nr.3/2021, vlerësoi rrethanat rënduese, të cilat i kanë marrë në konsideratë gjykatat më të ulëta, por theksoi posaçërisht rrethanat si në vijim; se vepra penale është kryer me shkallën e lartë të dashjes, i akuzuari ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe se vepra është kryer me armë zyrtare, rrethanë e cila vlerësohet si posaçërisht rënduese nga fakti se vet pozita e të akuzuarit ka shkaktuar pasoja jo vetëm ndaj viktimës, por edhe te besimi në institucionet e sigurisë dhe të qytetarëve në përgjithësi, pastaj rrethanat nën të cilat është kryer vepra pa ndonjë motiv, viktima ka qenë person i pambrojtur dhe nuk ka pasur mundësi të mbrohet, sjellja e tij pas kryerjes së veprës penale, duke tentuar fshehjen e krimit dhe asgjësimit të provave, faktin se viktima ka qenë e moshës së re, i martuar dhe prind i fëmijëve të mitur”, thuhet në komunikatë.
Ndaj, “në rrethanat e sipër-cekura dhe në mungesë të rrethanave lehtësuese”, Kolegji i Gjykatës Supreme ka vlerësuar se “nuk do të mund të justifikojë shqiptimin e ndonjë dënimi më të butë se ai që ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë”.
Shefki Spahiu, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, në shtator të vitit të kaluar, me aktgjykim të Gjykatës Themelore të Prizrenit, u shpall fajtor për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Manipulim me prova”, për vrasjen e 32-vjeçarit Jetmir Aliaj nga fshati Mushtisht i Suharekës, në vendin e tij të punës, në marsin e vitit 2019.
Jetmir Aliaj ishte vrarë me armë zyrtare paraditen e 17 marsit të 2019-s në një kazino afër rrugës për në fshatin Reshtan të Suharekës.
Disa ditë pas kësaj vrasjeje, me iniciativë të kryetarit të Suharekës, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për mbylljen e të gjitha kazinove. /Telegrafi.