Telegrafi

Gjykata Supreme refuzon kërkesën e ish-blerësit të minierës së Goleshit

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), ka pranuar Aktvendimin nga Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës (DHPGJS) në lidhje me ndërmarrjen “MIM Golesh”, me çka i është refuzuar kërkesa ish blerësit për masë të përkohshme ndaj AKP-së.

Sipas AKP-së, kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me AKP-në, në ankesën e paditësit të parashtruar kundër Aktvendimit të Kolegjit të Specializuar të DhPGjS, pas seancës vendimmarrëse e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e ish blerësit, ndërkaq e ka vërtetuar Aktvendimin e Kolegjit të Specializuar.

“Ish blerësi ishte ankuar edhe më parë në Kolegjin e Specializuar, duke e kundërshtuar vendimin e AKP-së për tërheqje të aksioneve dhe për vendosjen e kësaj ndërmarrje nën administrimin e drejtpërdrejt të AKP-së, ndërkaq kishte kërkuar pezullimin e këtyre vendimeve. Mirëpo ky Kolegj i Apelit e kishte vlerësuar si të pabazuar kërkesën e ish blerësit për masë të përkohshme , duke i dhënë kështu të drejtë AKP-së në vendimet e ndërmarra. Aktvendimi i lëshuar tani nga Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për refuzim të kërkesës për masë të përkohshme ish blerësit është përfundimtar, pasi që ky Kolegj është instanca përfundimtare gjyqësore lidhur me masën e përkohshme”, thuhet në njoftimin e AKP-së. /Telegrafi/