Gjykata e Lartë ka miratuar vendim me të cilin Prokuroria Publike Speciale në të ardhmen do të duhet t’i dëshmojë kompetencat mbi lëndët që PSP-ja i kërkon nga Gjykata Penale. Disa portale raportuan se këtë vendim e ka miratuar kryetarja e Supremes, Lidija Nedellkova para përfundimit të mandatit të saj, kurse me kërkesë të Gjykatës Themelore qysh prej muajit mars të vitit kaluar. Në këtë vendim janë theksuar dispozitat e nenit 5, paragrafit 1 të Ligjit për Prokurori Publike për ndjekjen e veprave penale që dalin nga materialet e përgjuara, respektivisht se kompetencat e prokurorit publik që udhëheq me këtë Prokurori janë të kufizuara. Nga Prokuroria Publike Speciale thonë që në lidhje me këtë vendim nuk do të komentojnë asgjë sepse nuk janë të informuar, njofton TV21.
“Në Prokurorinë Publike Speciale nuk ka arritur vendim me të cilin Gjykata e Lartë kërkon nga PSP-ja të dëshmojë kompetencën për disa lëndë të caktuara që kërkon t’i ketë në juridiksion. PSP do të prononcohet në lidhje me këtë pasi ta marrë këtë vendim dhe do ta informojë opinionin për hapat e mëtutjeshme të cilat do t’i ndërmerr”, thonë nga PSP.
Sipas avokatit Xvonko Davidoviq nëse Gjykata e Lartë në të vërtete ka miratuar një vendim të tillë, atëherë me këtë është shkelur Ligjin për Prokurori Publike, sepse siç thotë ai, PSP-ja është ajo e cila vetë e dëshmon kompetencën për lëndët që kërkon t’i ketë në juridiksion.
“Nëse është e vërtetë kjo që lexon në portale, Gjykata e Lartë e ka gabim. Është e njëjta gjë që u mundua ta bëjë edhe Këshilli për Prokurorë Publikë. Ligji për Prokurori Publike Speciale është tepër i qartë: kompetencat i vendosë prokurori publik special dhe askush tjetër. Kjo u vërtetua edhe në praktikë se ashtu është. Për lëndën “Spiuni” u miratua zgjidhje e cila është në procedurë ankimuese në Gjykatën e Apelit”, u shpreh ai.
Përndryshe, prokurorja publike speciale ka kërkuar autorizim nga Gjykata Penale për rastet “Magyar Telekom”, “Spiuni” dhe për rastin “Ryshfeti”. Argument për këtë kërkesë të PSP-së është ajo që të gjitha rastet gjyqësore të lartpërmendura kanë të bëjnë me bisedat e përgjuara të cilat Prokuroria i ka në juridiksion./Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=jq6nsqz9a3M