Kolegjet gjyqësore të Gjykatës Supreme kanë vendosur sot për shtatë ankesat e subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Katër ankesa janë shqyrtuar në një vendim të vetëm, përkatësisht ankesat e subjekteve politike; Romani Iniciativa (AA.nr29/2021), Partia Liberale Egjiptiane dhe Partia e Ashkalive për Integrim (AA.nr.35/2021) dhe Lëvizja Përparimtare e Romeve të Kosovës (AA.nr.36/2021), të paraqitura kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) A.nr.736/2021 të dt.07.03.2021, dhe ankesës së dytë, e pranuar sot, e subjektit politik Romani Iniciativa (AA.nr.39/2021), e paraqitur kundër vendimit plotësues të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa A.nr.736/2021, datës 10.03.2021.
Në njoftimin për media thuhet se me aktgjykimin AA.nr.29/2021 është vendosur që këto ankesa të refuzohen si të pabazuara.
Dy ankesa janë shqyrtuar në një vendim të vetëm, përkatësisht ankesa e subjektit politik Ujedinjena Zajednica-Adrijana Hodzic dhe ankesa e subjektit politik Social Demokratska-UNIJA SDU, të paraqitura kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Anr.656/2021, të datës 07.03.2021.
Me aktgjykimin AA.nr.30/2021 është vendosur që këto ankesa të refuzohen si të pabazuara.
Ankesa e subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Anr.761/2021, lidhur me kërkesën për numërimin e 20.550 pakove me fletëvotime të arritura me postë nga votuesit jashtë Kosovës, është refuzuar si e pabazuar përmes aktgjykimit AA.nr.38/2021. /Telegrafi/