Site icon Telegrafi

Gjykata Supreme liron Shahinin

Gjykata Supreme e Kosovës e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë P.Nr.244/2015 të datës 09.02.2017 dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës PA1. nr. 339/2017 të datës 13.03.2018 lidhur me kryetarin e Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, vendime të cilat patën denuar me kusht 18 muaj burgim.

Gjykata Supreme e Kosovës e gjeti të bazuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të avokatit Granit Vokshi, mbrojtës i Agim Shahinit.

“Sipas vendimit të Supremes, Aktgjykimi i Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit është i përshkruar me shkelje esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale. Në veçanti, Supremja ka gjetur se Shahini nuk është person përgjegjës në Kompaninë e cila ka marrë kredi nga ana e Bankës TEB, por person përgjegjës është dikush tjetër. Duke mos qenë person përgjegjës në kompani, i njëjti nuk mund të jetë as penalisht përgjegjës për çfarëdo veprimi të mashtrimit që mund të ketë ndodhur. Megjithatë, përveç kësaj, Gjykata Supreme ka gjetur se edhe sikur të ishte person përgjegjës brenda Kompanisë, kjo nuk do të thotë se ka pasur veprim të mashtrimit të manifestuar nga ana e Agim Shahinit. Kjo ngase asnjëra nga elementet e veçanta të veprës penale të Mashtrimit nuk janë manifestuar në këtë rast. Ky rast i takon domenit civil e jo penal”, thuhet në njoftimin e AKB-së.

Sipas AKB-së, Shahini në vazhdimësi ka theksuar se i tërë procesi gjyqësor është zhvilluar me inercion, mirëpo ka qenë i bindur se drejtësia do ta thotë fjalën e vet të fundit të bazuar në fakte e jo në me paragjykim.

Në fund, AKB thotë se vendimi i Supremes i pranuar gjatë kësaj jave e dëshmon se megjithatë duhet të kihet besim në sistemin e drejtësisë kosovare. /Telegrafi/

Exit mobile version