Site icon Telegrafi

Gjykata Speciale publikon emrat e zyrtarëve të tjerë të UÇK-së, si pjesë e grupit që pretendohet se kanë kryer krime lufte

Specialja publikon emrat e zyrtarëve të tjerë të UÇK-së që i konsideron “pjesë të grupit kriminal”

Me publikimin e aktakuzës ndaj katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gjykata Speciale ka publikuar edhe emrat e disa zyrtarëve të tjerë të cilët po i konsideron “pjesë të këtij grupi kriminal”.

Aty bëjnë pjesë: Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas Speciales, disa prej tyre nuk ishin anëtarë të “ndërmarrjes kriminale, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes për të kryer krime”.

Lexo po ashtu Specialja publikon pretendimet ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit: Akuzohen për arrestim të paligjshëm, vrasje e torturë

Gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës e konfirmoi aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit më 26 tetor 2020.

Në pajtim me rregullën 88(2) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, aktakuza e konfirmuar nuk u bë publike në atë moment, transmeton Telegrafi.

Në aktakuzën e konfirmuar thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes.

Aktakuza e konfirmuar tashmë është bërë publike me redaktime dhe mund të lexohet KËTU.

Versionet e redaktuara publike të fletarrestimeve dhe urdhrave të transferimit për të gjithë të akuzuarit mund të lexohen gjithashtu KËTU./Telegrafi/

Exit mobile version