Site icon Telegrafi

Gjykata Speciale fton për intervistim ish-pjesëtarin e UÇK-së nga Zona Operative e Pashtrikut

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Brigadën 128 në Zonën Operative të Pashtrikut, Mehmet Sulaj nga Prizreni, është i ftuari i radhës nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Mehmet Sulaj, ish-pjesëtar i UÇK-së, tani veteran i luftës i cili jeton në Prizren, është ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për t’u paraqitur më 27 shtator, në cilësinë e dëshmitarit.

Ftesa për t’u paraqitur në Dhomat e Specializuara është dërguar në shtëpinë e tij të martën, ka bërë të ditur për KosovaPress, biri i tij, Bekim Sulaj, i cili theksoi se në ftesë i bëhet e pamundur babait të tij të flas për media para paraqitjes në gjykatë.

Mehmet Sulaj ka punuar si arsimtar shumëvjeçar i gjuhës shqipe në disa shkolla në rajonin e Prizrenit, ndërsa, gjatë kohës së luftës ai ka kontribuar edhe duke e lëshuar një shtëpi nën pronësi të tij për Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Prizren.

Në korrik të këtij viti, Specialja ftoi edhe ish-zëvendëskomandantin e Zonës Operative të Pashtrikut, Avdi Ibrahimin po ashtu nga Prizreni, i cili do të paraqitet atje më 2 tetor.

Exit mobile version