Kryetarja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova thotë se ekzistojnë përpjekje për të minuar punën e Gjykatës që po i heton krimet e pretenduara të kryera nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë vitit 1998-2000.
“Përpjekjet për të minuar institucionet tona (Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar) nuk kanë pushuar dhe me gjasë do të rriten në forma të ndryshme, përderisa zhvillohen procedurat gjyqësore”, citohet të ketë thënë Trendafilova gjatë një takimi me diplomatët e Bashkimit Evropian më 11 shkurt në Hagë. Radio Evropa e Lirë e ka parë transkriptin e këtij takimi.
Kryetarja e Gjykatës Speciale ka thënë se në kuadër të këtyre përpjekjeve kanë qenë thirrjet që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të rishikojë vendimin e prillit të vitit 2015, që hapi rrugën për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
“Ngjashëm janë bërë thirrje për mbledhjen e nënshkrimeve për të ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që edhe pse në aspektin ligjor nuk mund të ndodhë, mund të kenë pasoja problematike nëse merren parasysh nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë Trendafilova.
“Specifikisht, mund të bëhen përpjekje për të amendamentuar ligjin që lejon faljen e atyre që dënohen nga Dhomat e Specializuara apo që ta zhvendosin Gjykatën ose arkivin e saj apo të dyjat bashkë në Kosovë”, iu ka thënë Trendafilova diplomatëve evropianë.
Ajo nuk ka elaboruar nga kush po bëhen këto përpjekje dhe si mund të zbatohen këto ndryshime.
“Kjo sigurisht që do të rrezikonte jetën dhe sigurinë e njerëzve që kanë ose do të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me ne. Ndryshime të tilla, sigurisht do të kishin një efekt tronditës për dëshmitarët, të cilët mund të mos dëshirojnë të paraqiten tash e tutje, duke e bërë kështu të pamundur që Prokurori i Specializuar të vazhdojë me çështjet e tij”, ka shtuar ajo.
Gjatë këtij takimi, mbajtjen e të cilit e ka konfirmuar edhe zyra për media e Dhomave të Specializuara, Trendafilova ka ngritur edhe shqetësimin për sigurinë e dëshmitarëve që paraqiten në ndjekje penale.
Ajo u ka kërkuar shteteve evropiane që të angazhohen për një marrëveshje gjithëpërfshirëse bashkëpunimi, e cila do t’u mundësonte dëshmitarëve edhe zhvendosjen në ndonjë shtet evropian, si masë mbrojtëse.
“Pa këto marrëveshje, do të jetë shumë e vështirë nëse jo e pamundur në disa raste, për të siguruar që dëshmia mund të jepet lirshëm dhe pa ndonjë frikë. Bashkëpunimi është krucial dhe mund t’u kërkohet shteteve që të ngrijnë asetet apo edhe për transferimin e personave të caktuar nga territori i tyre për në selinë e Dhomave të Specializuara në Hagë ”, ka thënë Trendafilova.
Ajo e ka cilësuar si esenciale që mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të mos ndryshojë deri në përmbushjen e tij.
“Çdo ndryshim të bëhet vetëm me BE-në”, ka thënë jo.
Në këtë takim, Trendafilova ka thënë se procedurat gjyqësore po vazhdojnë sipas planit më gjithë masat që janë imponuar kundër pandemisë së COVID-19.
Trendafilova ka njoftuar diplomatët për tre rastet me të cilat po merret aktualisht gjykata: rasti Mustafa, rasti Thaçi (përfshihen Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaçi) dhe rasti Gucati/Haradinaj.
Trendafilova ka thënë se në rastin Thaçi ende nuk dihet se kur do të nisë procesi gjyqësor, për shkak të volumit të çështjes dhe kërkesës së mbrojtjes për kohë shtesë për përgatitje të materialit. Ndërkaq, dy rastet e tjera janë në procedurë më të shpejtë. Gjykimi ndaj Salih Mustafës është kërkuar që të nisë më 1 mars.
Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara ka thënë se ky ishte një takim që ndodh dy herë në vit, ku kryetarja “ka përmbledhur çështjet të cilat tashmë janë adresuar në dokumentet publike të gjykatës”.
Kosova hesht
Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje në Qeverinë në detyrë të Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje. Përgjigje nuk ka marrë as nga presidenca.
Gjithashtu është kontaktuar edhe Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit, për të marrë një qëndrim lidhur me shqetësimet e ngritura nga kryetarja e Dhomave të Specializuara, por deri në kohën e publikimit të këtij shkrimi, nga ky subjekt nuk janë përgjigjur.
Por, më herët, liderët politikë në Kosovë kishin tentuar që të bëjnë ndryshime të mandatit të Dhomave të Specializuara.
Fillimisht, në dhjetor të vitit 2017, partitë politike që ishin në atë kohë në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, kishin iniciuar një nismë për zhbërjen e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, por pas trysnisë ndërkombëtare, ata ishin tërhequr.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaҫi, ndaj të cilit është ngritur aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, në nëntor të vitit 2019, i kishte shkruar një letër, Sekretarit të atëhershëm të Shtetit, Mike Pompeo se qëllimi i institucioneve të Kosovës nuk ka qenë asnjëherë që puna e gjithë gjykatës të bëhet në një vend të tretë, në këtë rast në Holandë dhe se “krijimi i institucioneve paralele” me siguri që nuk do të ndikojë pozitivisht në sistemin juridik të Kosovës.
Pompeo ishte përgjigjur duke thënë që “heqja ose dëmtimi i strukturës së punës ose lokacionit të Dhomave të Veçanta ose Prokurorisë së Specializuar, në çfarëdo mënyre, do ta dëmtonin seriozisht kredibilitetin dhe reputacionin ndërkombëtar të Kosovës”.
Ambasada amerikane në Prishtinë nuk ka dashur të komentojë shqetësimet e ngritura nga Trendafilova gjatë takimit me diplomatët amerikane, duke thënë se për këtë gjë, duhet të pyetet Gjykata në Hagë.
Ndryshe, qëndrimi i administratës amerikane është që e mbështetë punën dhe mandatin e Gjykatës në Hagë dhe kërkon nga të gjitha palët që të puna pa ndërhyrje e këtij institucioni të drejtësisë.
Gjykata Speciale apo siç quhet zyrtarisht, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por me seli në Hagë. Ajo i heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën prej janarit 1998 e deri në dhjetor 2000, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës në vitin 2011, autor i të cilit është senatori zviceran Dick Marty.
BE-ja në vit ndan rreth 40 milionë euro për punën e Gjykatës Speciale. /rel/