Telegrafi

Gjykata rrëzoi vendimin e MASHTI-t për reformën e arsimit në Kamenicë, Kastrati kërkon dorëheqjen e Nagavcit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit të mësimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se MASHTI-i përmes vendimit ka tejkaluar kompetencat dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar nënkryetari i PSD-së, Qëndron Kastrati që në atë kohë ka qenë kryetar i Kamenicës.

Lexo po ashtu Komuna e Kamenicës fiton rastin përballë MASHTI-t në Kushtetuese

“Gjykata Kushtetuese sot e konfirmoi përmes aktgjykimit parashtresën tonë: Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e ka shkelur kushtetutën për ta luftuar reformën në arsim. Ekipi i reformës bashkë me juristët e RZZ LAW me përkushtim e profesionalizëm kanë argumentuar shkeljen flagrante të kompetencave komunale nga niveli qendror”, ka shkruar Kastrati në Facebook.

Ish-kryetari i Kamenicës thotë se vendimi që u vërtetua kundër-kushtetues ka prodhuar pasoja.

Sipas tij ministrja Nagavci duhet të marrë përgjegjësinë që i takon.

“Ai ka ndërsyer njerëz kundër reformës. Ministrja Nagavci nuk mund t’ia hedhë kësaj pune kaq thjesht. Ajo ka penguar një reformë për arsye elektorale, duke shkelur kushtetutën. Tash duhet përgjegjësi. Jo më pak se dorëheqje”, ka shkruar tutje Kastrati./Telegrafi/