Nuk do të ketë rindërtim të vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës. Kështu vendosi Gjykata Penale në seancën e sotme, me arsyetimin se ka ndryshuar vendi.
Avokatët e të akuzuarve thanë se kjo është hera e pestë që gjykata ua refuzon këtë kërkesë. Ata thanë se do të insistojnë edhe më tej, pasi sipas tyre, rindërtimi i rastit është shumë i rëndësishëm për të vërtetën, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Kjo është më se e nevojshme, pasi ne si mbrojtje kemi dëshmuar se dëshmitari i mbrojtur nuk e thotë të vërtetën. Refuzimin e rindërtimit të rastit, gjykata e arsyeton me konfigurimin e vendit të ngjarjes, i cili është ndryshuar për të fshehur gjurmët dhe të ndalohet rindërtimi”, tha avokati i të akuzuarve Naser Raufi.
Për seancën e sotme u ftuan edhe dëshmitarë tjerë të propozuar nga mbrojtja, por për arsye shëndetësore të njëjtit nuk erdhën.
Seanca e radhës për rastin “Monstra” është planifikuar për 28 janar.
Ndryshe, në këtë lëndë u vranë katër qytetarë maqedonas më 12 prill 2012, ndërsa për këtë u akuzuan dhe u dënuan Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Afrim Ismailoviq, Alil Demiri, Haki Aziri dhe Sami Luta. Afrim Ismailovi dhe Alil Demiri janë në arrati në Kosovë.
Të pestit u dënuan me burg të përjetshëm, por Gjykata e Lartë në dhjetor të vitit 2017 e shfuqizoi aktgjykimin dhe vendosi që lënda të kthehet në rigjykim. Më pas rastin e mori ish-PSP-ja./Telegrafi/