Pas njoftimit të klinikës “Zhan Mitrev” se xhirollogaritë e spitalit janë bllokuar plotësisht, Gjykata Penale ka dalë me sqarim, nga ku thonë se këtu nuk bëhet fjalë për aktgjykim po për vetëm vendim, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Nuk është aktgjykim i gjykatës, por vendim jo i plotë fuqishëm, për të cilin ankesa nuk e shtyn përmbarimin dhe me të cilin vendim përcaktohen masa të përkohshme për sigurimin e kërkesës pasurore juridike, përkatësisht ndalimin e tjetërsimit të pasurisë së patundshme si dhe urdhërohet edhe mbajtësve të pagesës së qarkullimit – Bankat të mos lejojnë pagesën e shumave të caktuara parash”, theksojnë nga Gjykata.
Nga atje shtojnë se masat janë marrë me propozim të prokurorit publik kompetent.
“Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Shkupit si gjykatë e shkallës së dytë e cila vendos, nëse është thënë diçka nga ana e gjyqtarit kompetent në seancën kryesore”, shtojnë nga Gjykata Penale.
Sot, ndonëse ishte caktuar, nuk ka filluar gjykimi për Zhan Mitrev dhe klinikën e tij, të cilët akuzohen për mashtrim pasi kanë mashtruar pacientët duke fshehur fakte për trajtimin e Covid-19 me hemofiltrim. Pala mbrojtëse kërkoi një shtyrje për ta përgatitur ekipin ligjor./Telegrafi/