Gjykata vendosi që zëvendëskryeministri Bujar Osmani dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu nuk do të mund ta vizitojnë ish ushtarin e UÇK-së, Tomor Morina i cili gjendet në paraburgim.
“Në lidhje me kërkesën tuaj të datës 30.07.2019, që t’i mundësohet personit Tomor Morina, i cili gjendet në Entin ndëshkimor përmirësues Burgu i Shkupit – Shkup, sot të vizitohet nga zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu, ju njoftojmë se sipas rregullave ligjore nga nenit 178 të Ligjit për procedurë penale, personat që janë në funksion të zëvendëskryeministrit dhe zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, nuk janë persona që mund të vizitojnë të paraburgosur”, thuhet në njoftimin e Gjykatës dërguar në Qeveri, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Serbia gjatë ditës së djeshme në Ministrinë e Drejtësisë dërgoi kërkesë për ekstradimin e Tomor Morinës.
Ndryshe, ish ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u arrestua nga policia e Maqedonisë para disa ditëve për shkak se gjendej në listën e të kërkuarve nga Interpoli me kërkesë nga Serbia./Telegrafi/