Site icon Telegrafi

Gjykata, nuk ka pasur asnjëherë monopol të arkave fiskale

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë sipas të cilit nuk ka pasur asnjëherë monopol në shitjen e arkave fiskale në Kosovë.
Vendimi i vërtetuar nga Gjykata e Apelit anulon vendimin e Autoritetit të konkurrencës të datës 24.01.2011 në bazë të së cilit dy kompanitë e licencuara për fiskalizim GEKOS dhe Dukagjini ishin gjobitu me 100 mijë euro për gjoja krijimin e monopolit në shitjen e arkave fiskale.

Gjykata e shkallës së parë në vendimin e saj e kishte vlerësuar këtë masë të Autoritetit të Konkurrencës si të pa bazuar në ligj.
Gjykata ka vendosur që Autoriteti i konkurrencës vendimin e ka shqiptuar duke u bazuar në dyshime, supozime, opinione publike por jo edhe në fakte dhe prova.

Në arsyetimin e vendimit të Gjykatës më tutje thuhet se “edhe në procesverbalin e seancës dëgjimore të Autoritetit të Konkurrencës të datës 10.08.2010 përveç deklarimeve të përfaqësuesve të palëve nuk theksohet asnjë provë material mbi të cilën vërtetohet shkelja e konkurrencës”.

Ky proces gjyqësor përfundon pas 4 viteve që nga vendimi i Autoritetit të Konkurrencës. Kompania GEKOS e kishte dërguar lëndën në Gjykatën Themelore. Më pas autoriteti i konkurrencës e kishte dërguar lëndën në shkallën e dytë nga e cila u morr vendimi se vendimi i Gjykatës Themelore është i drejtë.

Dy kompanitë për arka fiskale Dukagjini dhe GEKOS e kanë mirëpritur vendimin pasi i njëjti i jep fund spekulimeve dhe sulmeve që iu janë bërë këtyre kompanive në lidhje me kinse krijimin e monopolit.

Nën ndikimin e këtyre spekulimeve pati rënë edhe Ministria e Financave e cila e ndryshoi në fillim të këtij viti udhëzimin administrativ për arka fiskale për gjoja heqjen e monopolit, i cili sipas vendimit të Gjykatës nuk ka ekzistuar asnjëherë. /Telegrafi/

Exit mobile version