Policia e Kosovës pritet të mbesë edhe për një kohë me ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm. Kjo pasi ditë më parë, Gjykata Themelore e Prishtinës vendosi në favor Rashit Qalajt që u shkarkua nga kryeministri Avdullah Hoti, duke e pezulluar kështu konkursin. Ekspertët kanë vlerësime të mira për punën e Qalajt në Polici.
Pas shkarkimit të Rashit Qalajt nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Qeveria nisi procedurat për zgjedhjen e drejtorit të ri.
Megjithatë, pak ditë më parë ky proces u ndërpre, pas një vendimi të Gjykatës Themelore të Prishtinës, pas një ankese të Qalajt, i cili pretendon se u shkarkua padrejtësisht nga kryeministri.
Vendimi për vazhdimin ose jo të konkursit të Policisë, pritet të merret nga Gjykata e Shkallës së Dytë.
Dy organizatat që kanë përcjellë nga afër punën e Policisë, edhe IKD e edhe KCSS, kanë vlerësime të mira për punën e Qalajt.
Ata arsyetimin e Hotit se e shkarkoi ish-drejtorin për shkak të reformave, e quajnë qesharak.
“Ky është arsyetimi më qesharak që mund ta dëgjoj një jurist, një person që ka njohuri elementare se si funksionon qeverisja, apo sundimi i ligjit në një vend. Një kryeministër në asnjë rrethanë nuk mund ta shkarkojë një pozitë të lartë në emër të reformave, deklaroi për RTV Dukagjinin, Ehat Miftaraj.
“Baza e cila është prezantuar nga Qeveria për shkarkimin e zotëri Qalajt ka qenë shumë e mangët dhe mendoj se vendimi për shkarkimin e tij më shumë ka të bëjë me vurjen në kontroll të Policisë së Kosovës sesa me depolitizimin e Policisë së Kosovës”, deklaroi Mentor Vrajolli, përcjell Telegrafi.
Për Ehat Miftarajn, në rast se Gjykata Themelore merr vendim për kthimin e Qalajt në punë, atëherë ai do të duhej të rikthehej po atë ditë.
“Nëse do të kishim një shtet ligjor, atëherë sigurisht që në momentin që vendimi i Gjykatës Themelore do të jetë i plotfuqishëm dhe e obligon Qeverinë që të njëjtin ta kthejë në punë, i njëjti do të duhej të kthehej në punë po atë ditë”, shtoi më tej Ehat Miftaraj.
Për një ditë, bashkë me Qalajn u shkarkuan edhe drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, e ushtruesi i detyrës së drejtorit të Doganave, Ibrahim Xhaka./RTV Dukagjini/Telegrafi/