Telegrafi

Gjykata në Prishtinë e dënon me 140 ditë burg dhe 12 mijë euro gjobë të akuzuarin për marrje të ryshfetit

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit A.B për shkak të veprës penale Marrja e ryshfetit.

I akuzuari A.B është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 140 ditësh, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

“Në dënimin e shqiptuar i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak, si dhe dënim me gjobë në shumë prej 12,000.00 (dymbëdhjetë mijë) euro, të cilën gjobë obligohet ta paguaj brenda afatit prej 6 (gjashtë) muaj, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në njoftimin për media.

Gjykata të akuzuarit A.B i ka shqiptuar edhe dënim plotësues Ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike, në administratën publike ose shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite.

“Kundër këtij aktgjykimi palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/