Telegrafi

Gjykata në Mitrovicë konstaton se Posta e Kosovës e ka diskriminuar qytetarin me aftësi të kufizuara

Gjykata Themelore e Mitrovicës – Dega në Vushtrri, ka aprovuar pjesërisht padinë e qytetarit me aftësi të kufizuara, Besim Galica ndaj Postës së Kosovës në Vushtrri, për diskriminim në qasje infrastrukturore në objektin e saj.

Përpos kësaj, Gjykata e ka detyruar Postën që në afatet ligjore të krijojë qasjen në ambientet e veta, ose në të kundërtën rregullimi i qasjes do të bëhet nga Gjykata pa pëlqimin e Postës.

Lajmin e ka bërë të ditur HANDIKOS, organizata që përfaqëson dhe përkrah personat me aftësi të kufizuara në Kosovë.

“HANDIKOS mirëpret faktin që Gjykata ka konstatuar diskriminimin edhe në rastin e Besimit në bazë të aftësisë së kufizuar, pas atij të vitit të kaluar, kur padia ishte shtruar ndaj komunës së Prishtinës nga Faruk Kukaj”, thuhet në njoftimin për media të HANDIKOS-it.

Po ashtu, është bërë e ditur se përpos këtyre dy padive, aktualisht janë edhe tri padi të tjera në pritje për shqyrtim nga Gjykatat, “të cilat janë hartuara dhe mbështetur gjatë gjithë procesit nga zyra ligjore e HANDIKOS”.

“Raste të tilla janë shembull se si duhet të veprojë secili qytetar me aftësi të kufizuara në Kosovë sa herë që has në diskriminim të natyrës në tillë, ndërkohë që institucionet duhet të zbatojnë Ligjin dhe të krijojnë mundësi të barabarta për secilin qytetar”, thuhet tutje në njoftimin e organizatës. /Telegrafi/